Një 25-vjeçar shqiptar është vënë dje në pranga në Livorno të Italisë. Klodian Hakballa u arrestua pasi është kapur me 25 kg drogë. Arrestimi i tij erdhi pas mbikëqyrjes së policisë italiane prej disa ditësh.
Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën në xhep 1350 euro, gjë që rriti dyshimet e policisë për një kontroll në banesë. Pas kontrollit, ata konstatuan në aneksin e banesës një mini laborator droge, ku u gjetën 23 kg heroinë, 1 kg kokainë dhe pjesa tjetër përzierës. Pjesa më e madhe e drogës ishte fshehur në një qese për mbledhjen e mbeturinave. Vlera totale e saj në trego shkon 100 mijë euro.
Hetuesit italianë nuk e konsiderojnë të rastësishëm arrestimin e një shqiptari me heroinë. “Xhiroja e heroinës është në duart e tyre”, thonë ata duke iu referuar trafikantëve dhe shitësve shqiptarë të kësaj droge. Sipas tyre, bëhet fjalë për një rrjet që funksionon nëpërmjet transportit me automjete në rrugë tokësore. Hetuesit në Livorno thonë se rikthimi i heroinës është shtrirë në të gjithë Italinë, kjo për shkak të rënies së çmimit.



