
Zyrtarët në Brazil kanë fajësuar mungesën e fondeve si shkak për zjarrin e madh që shkatërroi Muzeun Kombëtar të vendit.
Një nga koleksionet më të mëdha antropologjike dhe historike të natyrës në Amerikë u shkatërrua pothuajse tërësisht në zjarrin e së dielës në Rio de Janeiro.
Ka pasur ankesa për gjendjen e rrënuar të muzeut. "Asnjëherë nuk kemi patur mbështetje adekuate", tha zëvendësdrejtori i muzeut pas zjarrit.
Kandidati presidencial Marina Silva gjithashtu kritikoi mungesën e investimeve, shkruan BBC.

"Duke pasur parasysh shtrëngesat financiare të Universitetit Federal të Rio de Janeiro dhe të gjitha universitetet e tjera publike tri vitet e fundit, kjo ishte një tragjedi që mund të parashikohej", tha Silva, një politikan i krahut të majtë që kandidon në zgjedhjet e muajit të ardhshëm .
Zjarri filloi të dielën mbrëma, pasi ndërtesa një pallat mbretëror i shekullit të 19-të u mbyll për gjithë ditën.
Shkaku nuk është i njohur, por ministri i Kulturës, Sergio Sa Leitao, u citua në mediat braziliane të thoshte se kjo mund të ketë ardhur si shkak i një qarku të shkurtër elektrik ose tullumbace e vogël e ajrit të nxehtë që ndodhet në çati.
Nuk janë raportuar viktima, por pjesa më e madhe e 20 milion artikujve që përmbante muzeu u dogjën nga flakët, ndërsa stafi e përshkroi humbjen e shkencës, historisë dhe kulturës braziliane si të pallogaritshme.
Deri të hënën në mëngjes, flakët ishin zhdukur, duke lënë drejtuesit e muzeut të vëzhgojnë rrënojat e mbetura të trashëgimisë së Brazilit. Megjithëse ata ishin fillimisht të kujdesshëm për llogaritjen e humbjeve, ndërtesa e gutuar sugjeron se numri do të jetë i madh.
Muzeu është shtëpia e objekteve egjiptiane dhe greko-romake, fosilet, dinosaurët dhe 12 000-vjeçares "Luzia" - skeleti më i vjetër në Amerikë .
Por ndoshta goditja më e madhe është shkatërrimi i mundshëm i artefakteve indigjene, të cilat treguan se si miliona njerëz jetonin në kohët para koloniale.
Por mediat flasin se shkaku i zjarrit është ende nën hetim, ndërsa shkurtimet e qeverisë dhe sistemet e papërshtatshme të mbrojtjes nga zjarri janë përmendur si faktorë kryesorë.
Në vitet e fundit, qeveria ka shpenzuar miliarda për Olimpiadën dhe projekte të mëdha ndërtimi që gjeneruan rryshfete për politikanët, por shkurtuan shpenzimet për kulturën dhe arsimin në emër të kursimit.

Luiz Duarte, një nga zëvendësdrejtorët e muzeut, tha se politikanët duhej të fajësoheshin për dështimin në mbështetjen e muzeut, duke e lënë atë të përkeqësohet. Asnjë ministër i shtetit nuk u shfaq në festimet e 200-vjetorit të tij në qershor, shkruan "The Guardian".
Duarte tha se muzeu sapo kishte mbyllur një marrëveshje me bankën e zhvillimit të qeverisë braziliane, BNDES, për fonde që përfshinin një projekt për parandalimin e zjarrit. "Kjo është ironia më e tmerrshme", tha ai.
Disa dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë portave, disa të tjerë u përplasën edhe me policinë ndërsa disa të tjerë ishin të shqetësuar në mënyrë të qartë. Kurse të tjerë fajësuan politikat shtrënguese të qeverisë dhe korrupsionin.
Disa brazilianë e panë zjarrin si një metaforë për traumat e vendit të tyre, pasi ai lufton me rritjen e nivelit të krimit të dhunshëm dhe efektet e një recesioni që ka lënë më shumë se 12 milionë njerëz të papunë.




