Historiani Paskal Milo, tentativat e Kryeministrit Edi Rama që të jetë ndërmjetësues për uljen në bisedime të Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç, referuar takimeve të mbajtura sot në Bruksel i sheh si përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të vazhduar në një linjë me Bashkimin Europian. Milo thotë se Shqipëria si vend fqinj me Kosovën është në të drejtën e saj që të përpiqet dhe se Edi Rama nuk ka pse të penalizohet. Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se qëndrimi i Ramës komentohet në këndvështrime të ndryshme dhe se kritikojnë atë që nuk u pëlqen. Sipas tij, ka akuza ndaj Kryeministrit Rama se mban një qëndrim neutral, i njëjtë me faktorin ndërkombëtar, ndërkohë që Shqipëria duhet të ishte shumë më afër Kosovës, duhet të kishte takime konfidenciale me udhëheqësit e Kosovës dhe të diskutonte me liderët e Kosovës. “Mendoj se ka vend për sugjerime, për më shumë transparencë dhe për të mos parë atë që mund të mos jenë dakord, qoftë Rama, qoftë Kurti, por të shihet më shumë ajo që i bashkon dhe është në interes të shqiptarëve dhe kombit. Në këtë pikëpamje ata duhet të lënë mënjanë pakënaqësitë që mund të kenë në adresë të njëri tjetrit dhe duhet të takohen të bisedojnë, të koordinojnë se duhet të nisemi gjithmonë çfarë është e mirë për Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë kombin shqiptar, ky është lajtmotivi që duhet të udhëheqë qoftë Kryeministrin Rama dhe Kryeministrin e Kosovës. Mendoj se po vjen gradualisht pika e vlimit në çështjen e Kosovës, e cila paralajmëron furtunë nëse nuk gjendet një zgjidhje për krizën e krijuar mbi bazën e 3 pikave të propozuara nga Bashkimi Europian. Situata e sotme e takimeve tregon se përsëri ka një shprehje pakënaqësie në Bruskel për qëndrimet e Kosovës dhe Kryeministrit Kurti. Në Bruksel nuk është parë ndonjë ndryshim qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Kosovës në përgjithësi, se dhe Kurti dhe qeveria e Kosovës nuk e kanë deklaruar qartë dhe prerë se çfarë kërkojnë. Deklaratat e tyre kanë të dykuptimta, nuk janë të qarta, përkundrazi i shtyjnë ndërkombëtarët dhe Brukselin të kenë rezerva. Paralajmëruan se në të kundërt do të aplikohen masa politike dhe financiare, në këtë linjë sekretari amerikan i shtetit Blinken telefonoi Vuçic dhe Kurtin, duke u bërë thirrje të gjejnë kompromisin dhe të nxitojë. Edhe qëndrimi amerikan ka një kufi dhe në të kundërt mund të ketë masa. Do të ketë reduktim siç është paralajmëruar të kontakteve politike mes Kryeministrit Kurti, qeverisë së Kosovës dhe Bashkimin Europian. Me institucionet, do të ketë një frenim të gjithë atyre punëve që janë bërë për ti hapur Kosovës një perspektivë europiane për liberalizimin e vizave, do të ketë reduktim në ndërprerjen e financimeve. Nëse Prishtina dhe Beogradi qëndrojnë të fortifikuara në pozicionin që kanë, patjetër që do ketë masa. E kanë gjykuar deri tani se Kosova dhe Kryeministri Kurti janë më të penalizuar në qëndrimin që kanë mbajtur deri tani në kërkim të zgjidhjes. Vuçiç dhe Serbia pavarësisht se trazojnë ujërat në Kosovën veriore, përsëri ka një qasje perëndimore që e gjejnë Kurtin dhe Kosovën në situatë jo shumë të favorizuar.” Lirimin e tre policëve të Kosovës Milo e sheh si tërheqje të Beogradit përballë presioneve nga SHBA-BE. Ai shton se Serbia thjesht se u kërcënua dhe u tërhoq, por e cilëson si një tërheqje që është taktike dhe që sërish e lë topin në fushën e Prishtinës. Sipas tij, tani Serbia lë të kuptohet se i lihet Prishtinës që të bëjë një hap mbas. “Organizimi i zgjedhjeve, tërheqja e forcave speciale të policisë dhe largimi i kryetarëve të zgjedhur nga godinat e komunës. Nëse kjo bëhet hapet zgjidhja e dialogut, por deri tani nuk ka asnjë sinjal që ti kenë thënë Brukselit apo Beogradit, që po jemi gati”. Milo flet për regres në raport me ndërkombëtarët për faktin që qeveria e Kosovës nuk pranon të dorëzojë një projekt për asociacionin që ia kanë kërkuar vazhdimisht po ajo nuk po e dorëzon në institucionet e Bashkimit Europian këtë draft që i kanë kërkuar, por se kërkon që të fitojë kohë. “Sipas Kurtit dhe qeverisë së Kosovës, shkon ndesh me projektet e tyre dhe faktin që të gjithë kanë refuzuar ta pranojnë asociacionin dhe kërkojnë të fitojnë kohë duke menduar se koha do të punojë për ta. Koha nuk është duke punuar për Kosovën, përkundrazi po bën hapa mbas dhe po humb terren në raport me SHBA dhe BE dhe dobëson pozitën e saj në raport me negociatat e Serbinë”. Ndër të tjera Milo tha se Ballkani i Hapur nuk kontribuoi që të afrohej Kosova me Serbinë, por se përkundrazi marrëdhëniet u përkeqësuan pikërisht kur duhej të mbahej dhe mbledhja e radhës e Ballkanit të Hapur.



