
Pjetër Kaza u ekzekutua ditën e djeshme në Tale të Lezhës. 57-vjeçari është viktima e radhës nga gjakmarrja që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.
Gazetari Sokol Bregu tha në studion e MCN Live se Lezha është një minë me sahat në çdo moment pasi në këtë qark policia, prokuroria dhe gjykata nuk ekzistojnë. Më tej gazetari thotë se në Lezhë janë 120 konflikte gjaku të hapura, ndërsa shton se 57-vjeçari Pjetër Kaza që u vra dje ishte një i pafajshëm.
Kanë një veçori vrasjet në qarkun e Lezhës. Lezha është minë me sahat në çdo moment. Policia, prokuroria, gjykata nuk kanë ekzistuar. Prej vitesh e kanë lënë këtë qark në një histori që çdo kush që ka mbi shpinë një histori gjakmarrjeje mund të jetë viktima e ardhshme. Numërohen 100-120 konflikte gjaku të hapura. Nuk janë në bazën e kanunit, por në bazën e historisë që palët mund të vrasin. Nuk ka radhë.
Kjo ngjarje është pak e çuditshme se u rifut në histori në zinxhirin e vrasjeve më shumë se 28 vjet më pas. Historia është që në 1994 shefi i krimeve të Rrëshenit, Martin Kaza ekzekutohet në qendër të qytetit. Vëllai merr hak duke vrarë dy vëllezërit e personit që kishte kryer këtë krim. Kjo histori kishte ngelur në 1997 deri sa informacionet erdhën vjet për vrasjen e një personi në Belgjikë. Të afërmit e të dyja palëve nuk është se dalin lirshëm dhe takohen në qytet, por ishin shpërndarë për t’ju ruajtur një hakmarrjeje.
Viktima e fundit, i pafajshëm, punëtor në një minierë. Janë rregullat e egra të kësaj zone.



