Pesë viktima janë shënuar përgjatë muajit maj 2024, ndërsa mosrespektimi i kushteve teknike është konsideruar shkak i ngjarjeve tragjike ndodhura deri më tani, nga pallatet në ndërtim tek minierat e guroret.
Muaji Maj njihet si simbolika e të drejtave të punëtorëve, e përkatësisht 1 Maji është dita kur protestohet dhe kërkohen më tepër siguri, kushte dhe pagesa për punonjësit.
Ndërsa Maj 2024 të cilin e lamë pas vetëm 24 orë më parë ka rezultuar tragjik dhe i përgjakshëm për punëtorët në vendin tonë.
Teksa si punonjës, familjar dhe me aftësitë e tyre Armand Peshku, Jurgen Veshaj, Emiljano Frroku, Dedë Gjoni u nisën për në punë pa asnjë lidhje mes tyre.
Ata fatkeqësisht patën fundin e njëjtë, tragjikisht teksa ishin në punë humbën jetën. E teksa hetimet thuajse ende nuk kanë përfunduar për asnjë nga rastet tragjike, Policia e Shtetit ka hedhur pranga për disa persona e shpallur disa në kërkim.
Ajo çka ka mbetur pas është se puna në bizneset ku ata ishin pjesë e stafit vijon edhe pse ngjarjet e rënda mund të shmangeshim në kushtet e sigurisë teknike apo këta punonjës do të ishin më të trajnuar dhe Inspektorët do kishin kryer kontrollet rigoroze si ligji përcakton.

Po cilët ishin 5 vdekjet që përgjakën muajin Maj 2024?
Emisioni “FactCheck” sjell një kronologji të aksidenteve me vdekje në punë ku tre prej tyre janë në sektorin e ndërtimit dhe dy të tjerë në minierë dhe gurore.
1 - Emiliano Frroku 28 vjeç, punëtor ndërtimi, humbi jetën më 9 maj në Shëngjin të Lezhës. I riu gjeti vdekjen pasi ra nga kati i nëntë i pallatit teksa po montonte vinçin dhe u shkëput. Nga verifikimet rezultoi i ndjeri Emiliano Frroku punonte në të zezë dhe dy katet e fundit të pallatit po bëheshin pa dokumentacionin përkatës.
2- Preng Gjoni, 50 vjeç punëtor ndërtimi humbi jetën më 11 maj në Kune (Shëngjin të Lezhës). Preng Gjoni u godit në kokë nga një dërrasë që u shkëput nga lartësia, teksa po punonte në një pallat në ndërtim në Kune. Për këtë rast Gjykata ka caktuar masën arrest shtëpie për administratorin e kompanisë Martin Kovaçi dhe punëtorin Eduard Frroku.
3- Armond Peshku, 29 vjeç, minator humbi jetën më 21 maj në minierë në Thekën të Martaneshit. I riu punonte si vagonist me kolegun e tij kur u zu poshtë nga masivi shkëmbor. Kolegu i tij Hajdar Bala, 40 vjeç mbeti i plagosur.
4- Jurgen Veshi, 24 vjeç, punëtor në gurore, humbi jetën më 22 maj, teksa punonte në një gurore në Brataj të Selenicës. Një masiv guri u shkëput nga mali dhe e zuri poshtë.
5- Adrian Fejzullahi, 28 vjeç, punëtor ndërtimi, humbi jetën më 27 maj teksa punonte në një pallat në ndërtim. Ra nga kati i 7-të i pallatit në ndërtim teksa ka qenë duke ngjitur disa kova me llaç.



