
Mbahet sot në Uashington samiti me ministrat e jashtëm të mbi tridhjetë vendeve të koalicionit anti-ISIS. Ky samit ishte kërkuar nga Franca që pas vendimit të papritur të Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga verilindja e Sirisë dhe ofensivës turke që pasoi dhe që i vuri në rrezik kurdët, aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe koalicionin në luftën kundër Kalifatit.
Në vijim, mesazhet e administratës amerikane kanë qenë kontradiktore: dje presidenti përsëriti se vetëm një numër i vogël i ushtarëve ka mbetur për të mbrojtur fushat e naftës, ndërsa kreu i Pentagonit njoftoi se ata do të stacionojnë rreth 600 burra për të vazhduar luftën kundër ISIS, duke bërë thirrje për forcimin e pranisë evropiane. Një nga çështjet që duhet të trajtohen sot është kthimi i luftëtarëve të huaj.



