Ligji Antimafia në hetimin e korrupsionit dhe krimit/ “Arma” që përdoret shumë pak nga prokuroria (VIDEO)

Ligji Antimafia në hetimin e korrupsionit dhe krimit/ “Arma” që përdoret shumë pak nga prokuroria (VIDEO)

Nga viti 2005 deri në vitin 2009, Shqipëria bëri hapa pozitivë në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale, duke arrestuar një pjesë të madhe të anëtarëve të bandave që vepronin në atë periudhë. Megjithatë, ndikimi i këtyre grupeve në jetën e qyteteve ku ushtronin aktivitetin e tyre mbeti i madh, pasi pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal nuk ishin goditur.

 

U kuptua se vetëm kuadri ligjor i kohës, Kodi i Procedurës Penale, nuk mjaftonte. Ishte e nevojshme një bazë ligjore më e fortë që të godiste krimin e organizuar aty ku dhemb më shumë, tek pasuria. Për këtë arsye, në fund të vitit 2009 u miratua ligji nr. 10092 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese të pasurisë”.

 

I njohur si ligji Antimafia, ai u krijua si një instrument i fortë në duart e prokurorisë dhe gjykatave për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive. Risia kryesore ishte përmbysja e barrës së provës, duke i kërkuar personit të hetuar të justifikojë pasurinë që dyshohet se ka prejardhje kriminale.

 

Me kalimin e viteve dhe nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë, në vitet 2014 dhe 2017 ligji pësoi ndryshime të rëndësishme. Kompetencat e tij u zgjeruan duke përfshirë edhe pasuritë që vinin nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë. Ky u konsiderua një hap i rëndësishëm për forcimin e luftës kundër korrupsionit, i cili ishte kthyer në një fenomen endemik në të gjitha strukturat shtetërore.

 

Në të njëjtën kohë, reforma në drejtësi solli ndryshime të thella në sistem. Ajo prodhoi krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, institucione që kanë në kompetencë hetimin dhe gjykimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 

Gjatë viteve të fundit janë sekuestruar dhe konfiskuar qindra prona, apartamente, vila, biznese dhe automjete luksoze me vlerë dhjetëra miliona euro. Në disa raste, pasuritë janë konfiskuar përfundimisht dhe kanë kaluar në pronësi të shtetit.

 

Në teori, ligji Antimafia është një nga armët më të forta të prokurorisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, zbatimi i tij ka qenë gjithmonë me probleme për shkak se prokuroria zgjedh ligjet e tjera që ka në dispozicion për hetimin pasuror. Ekspertë të drejtësisë ngrenë shqetësimin për mënyrën se si interpretohet ligji si nga prokuroria, ashtu edhe nga gjykatat në disa raste konkrete për hetimin pasuror.

 

Prokuroritë dhe gjykatat në rastet e hetimit pasuror përveç ligjit Antimafia mund të përdorin kodin e procedurës penale dhe për një afat të caktuar kohor përdorën edhe aktin normativ të qeverisë i datës 31 janar 2020, i njohur si Operacioni Forca e Ligjit. 

 

Do të fokusohemi më shumë tek të dhënat e Prokurorisë së Posaçme, duke qenë se është institucioni i cili ka në kompetencë të tij hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

 

Sipas raportit të vitit që lamë pas nga viti 2021 deri në 2025 janë dhënë gjithsej 135 vendime sekuestrosh ku baza ligjore me e përdorur është OFL dhe Kodi Penal përkatësisht me 47 dhe 49 vendime, ndërsa ligji Antimafia është përdorur në 39 vendime.

 

 Sa i takon vendimeve për konfiskim, akti normativ i 31 janarit 2020 është më produktiv këto 5 vite pasi janë marrë gjithsej 106 vendime të tilla. Në 60 vendime konfiskimi është përdorur kodi penal dhe vetëm 25 vendime janë marrë duke aplikuar ligjin Antimafia, transmeton emisioni “Kronos” në MCN TV.

 

 Nga viti në vit vihet re ulje e vendimeve të sekuestrimeve për të arritur në vitin 2025 në një total prej 12 vendimesh ku 4 janë me ligjin Antimafia dhe 8 me kodin penal. 

 

Në përfundim, gjatë vitit 2025 konstatohet një stabilizim i aktivitetit për vendimet e sekuestrimeve në nivele më të moderuara, me fokus kryesisht tek Kodi Penal dhe një përdorim më të kufizuar të ligjit Anti-Mafia.” - Raporti i SPAK

 

Një gjuhë krejtësisht teknike SPAK përdor edhe për konfiskimet duke sqaruar se sa i takon përdorimit të ligjit Antimafia gjatë 2025 është ruajtur një nivel qëndrueshmeri me 2024 pasi janë 3 të tillë në të dyja vitet. 

 

Në kuadër të ligjit Anti-Mafia, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3 vendime për konfiskim, një nivel i qëndrueshëm ky krahasuar me vitin 2024. Sa i përket Kodit Penal, vendimet për konfiskim u reduktuan nga 11 në vitin 2024, në 5 në vitin 2025, duke reflektuar një ulje të moderuar të aktivitetit.”- Raporti i SPAK

 

Këto janë të dhënat të cilat janë të publikuara në raportin e SPAK të vitit që lamë pasi të dhënat bëhen më interesante shikon numrin e pasurive dhe llogarive bankare të sekuestruara dhe konfiskuara me tre ligjet që përdor prokuroria e posaçme në hetimin pasuror.

 

Kemi siguruar disa të dhëna nga Prokuroria e Posaçme mbi pasuritë të cilat janë sekuestruar dhe konfiskuar nga 2019 deri në vitin 2025. Nga ajo që vihet re në të dhënat e përpunuara shihet se ligji Antimafia nuk është i preferuari i SPAK në hetimin pasuror ndaj zyrtarëve të lartë dhe organizatave kriminale. 

 

Gjatë 5 viteve të fundit SPAK ka sekuestruar në total 1591 pasuri, nga të cilat 1086 janë të paluajtshme dhe 505 janë të paluajtshme. Ajo që bie në sy nga totali i pronave të sekuestruara, më shumë gjysma e tyre është bllokuar duke përdoror aktin normativ të 31 janarit 2020 (OFL). Ndërsa ligji Antimafia dhe kodi i procedurës penale kanë sekuestruar përkatësisht 479 dhe 339 pasuri. 

 

Ndërsa në 5 vite janë konfiskuar në total 679 pasuri nga të cilat 424 janë të paluajtshme dhe 255 të luajtshme. Sa i takon bazës ligjore që është përdorur në konfiskimin e tyre, 154 janë me ligjin antimafia, 365.

 

Nga 2019 deri në fund të 2024 janë sekuestruar qindra llogari bankare me vlerë totale 29,6 milion euro, 77,6 milion lekë të reja dhe 10 milion dollarë në kripto valuta. Me efektiv në këtë drejtim ka qenë kodi i procedurës penale pasi duke përdorur këtë ligj janë sekuestruar 26.5 milion euro, 52 milion lekë dhe vlerën në kriptovalutë.

 

Sërish ligji Antimafia ka përdorim të ulët pasi vetëm 1.5 milion euro dhe 25,6 milion lekë janë sekuestruar duke përdorur këtë ligj, ndërsa me OFL nuk ka asnjë vlerë monetare të sekuestruar.

 

Vlera e konfiskuar në këto vite në vlerë monetare është 21,5 milion euro, 65.8 milion lekë të reja dhe 80 mijë franga. Suksesi në hetimin pasuror është konfiskimi dhe si përdoren më pas asetet nga shteti shqiptarë, pasi kjo është sfida më e madhe. 

 

Në kërkesën që i bëmë prokurorisë së posaçme, i kërkuam që të na përcaktonte edhe veprën penale për të cilën ishin bërë sekuestrime dhe konfiskimet me qëllim që të përcaktonim se cila ishte pesha që zënë veprat penale të familjes së korrupsioni gjatë këtyre 6 viteve, por që nuk na u vu në dispozicion.

 

Megjithatë raporti i 2025 i SPAK na tregon peshën që ka në sekuestrimet dhe konfiskime pasuria e cila është produkt i zyrtarëve të lartë të korruptuar apo që kanë shkelur ligjin. 

 

Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.”- Raporti i SPAK

 

Vetëm 100 mijë euro ka arritur të faktojë SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të cilat janë produkt i korrupsionit madhor gjatë 2025, ndërsa për vlerën e sekuestruar prokurorët duhet të fitojnë betejën në gjykatë për ti konfiskuar. 

 

Në raportin e 2025 të SPAK thuhet se vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro. Por konfiskimi është vetëm 4 % e totalit të pasurive të bllokuara, 1,8 milion euro. Në raportin e tij SPAK pranon që baza ligjore e cila është përdorur tek hetimi pasuror është kodi i procedurës penale.

 

Një nga hetimet më të rëndësishme që ka SPAK sa i takon korrupsionit është ai i inceneratorëve dhe një ndër personat që po hetohet në këtë çështje është, Arben Ahmetaj. 

 

SPAK e akuzon atë për korrupsion në aferën e inceneratorëve dhe krijimin e një skeme me qëllim kalimin e parave tek ai dhe personat e lidhur me të.

 

Në këtë rast SPAK ka zgjedhur që sekuestrimin e 4 apartamenteve dhe 2 llogarive bankare ta me kodin e procedurës penale duke u bazuar në nenin 274 dhe jo me ligjin antimafia.

 

Në argumentimin që i bën SPAK kërkesës së tij sqarohet se një sërë personash dhe biznesmenë të njohur kanë kanë krijuar një skemë fiktive shitjesh apartamentesh me qëllim që të fshiheshin paratë që vinin nga inceneratorët.

 

Konkretisht është rasti i shtetasit Besmir Prifti i cili ka dashur që të blejë një apartament nga Albina Maçka ish bashkëshorte e Arben Ahmetaj. Prifti është kushëri i Mirel Mërtirit dhe ka marrë nga kompania ITS, një borxh prej 150 mijë eurosh për të blerë një apartament dhe konkretish atë të Albina Maçkës me të cilën firmos një kontratë dhe pas disa kohësh ajo revokohet.

 

Besmirit megjithëse i nevojitej një shtëpi nuk ble më shtëpi, por ia kthen borxhin shoqërisë ITS megjithëse rreth dy javë më parë, kishte ndryshuar afatin e kthimit të borxhit me shtetasin Klodian Zoto, nga pesë vjet në për 25 vjet. Gjithashtu edhe mënyra se si paguhen lekët, me këste, apo kthimi i tyre po në mënyrë të copëzuar, ngre dyshime të arsyeshme mbi qëllimin e vërtetë të këtyre veprimeve.”- Vendimi Gjykatës 

 

E njëjta skemë është bërë dhe biznesmenin Sokol Meqemeja i cili rezulton të jetë një emër i njohur në procedurën koncensionare të inveneratorit të Fierit dhe njohje e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit , pasi ndër të tjera është evidentuar si një ndër personat e përfshirë në krijimin e shoqërisë Building Construction & Green Energy, shoqëri e cila rezulton të ketë paraqitur propozimin për marrjen e inceneratorit të Fierit dhe të ketë përfituar edhe bonusin prej 10 pikësh. Biznesmeni i jep një borxh bashkëjetueses së tij për të blerë një apartament nga Albina Maçka.

 

Me datë 05.05.2018, shoqëria Frigo Food sh.p.k. me vendim të ortakut Sokol Meqemeja, miraton t'i japë bashkëjetueses së tij shtetases Sonila Goxhaj një hua në shumën 140 000 euro për të blerë apartamentin e mësipërm. Në vijim, rezulton se me kontratën e sipërmarrjes Nr. 1601 Rep., dhe Nr. 373 Kol., datë 03.07.2018 para noteres Donika Gjini, ku është palë edhe sipërmarrësi shoqeria “Sheron shpk” përfaqësuar nga Mimoza Shena, shtetësja Albina Mançka i shet shtetases Sonila Goxha, apartamentin”- Vendimi Gjykates

 

Sipas deklarimit të shtetases Sonila Goxha, më datë 20 prill 2023, shuma e marrë hua nga kompania “Frigofood shpk” me pronar Sokol Meqemeja nuk është kthyer ende. Pas pyetjes se Sonila Goxhaj nga prokuroria, kjo e fundit më datë 08.05.2023 bën një pagesë prej 4 000 000 lekesh si një këst kthimi të huase së mësipërme. 

 

Është pyetur shtetesja Sonila Goxhaj në lidhje me këtë blerje e cila pretendon se e ka porositur apartamentin e mësipërm për llogari të motrës së vet Zanës, të cilës donte ti bënte dhuratë. Për këtë është marrë dëshmia e motrës së Sonila Goxhajt.

 

Janë pyetur edhe shtetasit Zana Çoba dhe bashkëshorti i saj Sokol Çoba, por nga tërësia e deklarimeve, nuk jepet ndonjë shpjegim se përse nuk ka lidhur kontrate vete Zana me shtetasen Albina Mançka, duke iu dhuruar thjesht parate apo përse deri në këto momente nuk rezulton që shtetesja Sonila Goxhaj apo Zana Çoba ta kenë marrë në dorëzim pasurinë e mësiperme, të banojnë apo kryejnë ndonjë investim aty. I vetmi pretendim është se pallati është i pabanueshëm, gjë që nuk është e vërtetë, pasi nga këqyrja e realizuar në muajin prill 2023, ka rezultuar se në këtë pallat kishte banore që jetonin aty.” – Vendimi Gjykatës 

 

Nga të dhënat e mësipërme SPAK thotë se krijohet dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se shitja ndaj shtetasve Besmir Prifti dhe në vijim Sonila Goxha, janë “shitje fiktive”, të kryera me qëllim për të qarkulluar shumat e parave, të cilat nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme të shtetasve Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka. 

 

Gjithsej shuma prej 270 000 euro e paguar nga shtetasi Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, ekziston dyshimi se është përfitim i paligjshëm i marrë nga shtetasi Arben Ahmetaj, në formën e mitës, gjatë kohës së dhënies së procedurave të koncensionit të mësipërm. Këto para derivojnë nga shoqëria Integrated Technology Services sh.p.k. dhe nga shtetasi Sokol Meqemeja pjesë e shoqërisë Building Construction Green Energy sh.p.k.

 

Në këtë rast nga ana e SPAK është aplikuar kodi i procedurës penale që e bën më të vështirë hetimin pasi ngarkon me barrën e provës Prokurorinë e Posaçme. Prokuroria shpesh është e detyruar të shkoj drejt kodit penal edhe pse ligji Antimafia është më efektiv për disa arsye.

 

Do të sjellim edhe rastin e lirimit të pasurive të Oltion Bistrit, ish shefit të operacionales në Policin e Shtetit i cili u arrestua verën e vitit 2023 gjatë operacionit “Metamoroza”. 

 

Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash dhe iu bllokua nga SPA një pasuir në vlerën e 3 milion eurove, majin e vitit 2024 duke aplikuar ligjin Antimafia. 

 

Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij ,22 njësi (dyqane/ambiente biznesi), 10 apartamente, 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë”- Prokuroria e Posaçme

 

Pasuritë e tij u sekuestruan duke përdorur Antimafian por ajo që ndodhi me pas tregon se pavarësisht se është një ligj që ka të përcaktuar subjektet dhe fushën e veprimit sërish mund ti shpëtojnë pasuri që dyshohet se kanë prejardhje kriminale. 

 

Disa ditë pas arrestimit të Oltion Bistrit, familjarët e tij  dhe përfaqësues të kompanisë “Arlis-Ndërtim” firmosën në një zyrë noterie një seri aktesh që zgjidhnin kontratat e sipërmarrjes për pesë apartamente dhe njësi tregtare në një kompleks luksoz.

 

Asokohe, lëvizja dukej thjesht si një manovër procedurale, por një vit më vonë, kur këto pasuri u sekuestruan si pjesë e hetimeve për korrupsion, lidhje me grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

 

Kompania i kërkoi Gjykatës së Posaçme zëvendësimin e sekuestrimit me bllokimin e një shume prej rreth 1 milion eurosh shumë disa herë më të ulët se vlera e tregut të apartamenteve. 

 

Më 9 tetor 2024, me dakordësinë e prokurorit të çështjes, gjyqtarja Irena Gjoka miratoi kërkesën e “Arlis-Ndërtim”, duke i kthyer kompanisë pasuritë e paluajtshme dhe duke vendosur në sekuestro vetëm vlerën historike të kontratave.

 

Dy rastet e mësipërme tregojnë që ligji Antimafia nuk aplikohet në një rast të dyshuar madhor korrupsioni dhe në rastin tjetër interpretohet keq sipas ekspertëve duke bërë lirimin e pasurive miliona euroshe.

 

Drejtësia në Shqipëri ndjek një politikë të gabuar në rastin e hetimit pasuror pasi e orienton atë drejt individit dhe jo pasurisë së bllokuar. 

 

Për këtë arsye kërkohet ndryshim në mënyrën si shkohet se pasuria e dyshuar së është produut i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu në situatën ku ndodhet Shqipëria sidomos sa i takon luftës kundër korrupsionit kërkohet që ligji Antimafia të përfshijë edhe vepra të tjera penale që prodhojnë pasuri të jashtëligjshme si shpërdorimi detyrës.

 

15 vite pas miratimit të tij, ligji Antimafia mbetet një nga instrumentet më të forta në letër për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por statistikat tregojnë se përdorimi i tij është më i kufizuar krahasuar me instrumente të tjera ligjore. Në fund, pyetja mbetet se sa efektiv është realisht ky ligj në goditjen e pasurive të krimit dhe korrupsionit dhe a ka nevojë për ndryshime?

 

Për këtë arsye parlamenti ka marrë një nisëm për analizimin e asaj që prodhuar ligji Antimafia gjatë këtyre viteve zbatimi nga drejtësia shqiptare. Në fund të kësaj nisme do të raport ku do sugjerohen ndryshime apo përmirësime të ligjit. 

 

Duhet të shohim efektet e ligjit, volumi i aseteve të konfiskuara sipas këtij ligji. Kontrolli post parlamentar, këtij kontrolli t’i nënshtrohet i gjithë ligji Antimafia, jo vetëm aspektet e caktuara të zbatimit të ligjit. Hera e parë që kuvendi do të ushtrojë funksionin e kontrollit të efekteve të një ligji që ka miratuar. E nisim me këtë ligj dhe vazhdojmë edhe me ligjet e tjera që kanë impakt për publikun.”- Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit të Ligjeve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy