
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot atë që e cilësoi si një investigim të ekspertit ndërkombëtar Patrick Quirk mbi ministren “Diella”, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj për mashtrim publik dhe krim kushtetues.
Sipas Berishës, “Diella”, e prezantuar nga qeveria si një instrument modern i inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit, rezulton të jetë “një avatar bosh, pa asnjë funksion real dhe pa asnjë element të urtësisë artificiale”.
“Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra. Çdo gënjeshtër është një turp dhe një amoralitet. Por gënjeshtrat në rang ndërkombëtar janë turp botëror,” deklaroi Berisha gjatë konferencës për mediat.
Ai tha se opozita kishte paralajmëruar prej muajsh se projekti “Diella” ishte një bllof propagandistik dhe një mekanizëm për të justifikuar shpenzime të mëdha publike.
Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar si institucion të inteligjencës artificiale. E emëroi ministre dhe e dekretoi ministër presidenti Begaj. Sot provohet se ‘Diella’ nuk ka asnjë qelizë të vetme të inteligjencës artificiale.
Sipas tij, eksperti ndërkombëtar Patrick Quirk, pas një analize të detajuar të projektit, ka arritur në përfundimin se sistemi nuk disponon asnjë ndërfaqe funksionale apo atribut konkret për luftën kundër korrupsionit.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt qeverinë se e përdori projektin për propagandë dhe për të “maskuar aferat korruptive”.
Ky është një mashtrim i pashembullt. Rama dhe Begaj përdhosën Kushtetutën dhe moralin e shtetit shqiptar duke mashtruar qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë me një bot pa asnjë funksion real.
Në përfundim, kreu demokrat e cilësoi çështjen “Diella” si një tjetër goditje ndaj imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë të plotë për fondet dhe procedurat e ndjekura për projektin.



