
Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Shkodrës, lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në Velipojë.
Shtetasit e identifikuar si Marjo Pali dhe Zyber Zagrad u arrestuan nga uniformat blu pasi dyshohen se janë bashkëpunëtorë në vrasjen e mbrëmshme të ndodhur në plazhin e Velipojës.
Zagradi u plagos mbrëmjen e kaluar me një plumb në këmbë pas përplasjes fizike që ndodhi mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi 33 vjeç dhe Arsid Hoxha 22 vjeç.
Ndërkohë pronarët e hotelit “Holiday” vëllezërit Eduard Frroku dhe Gëzim Frroku janë ende në arrati dhe në kërkim nga policia.
Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi pas një konflikti të nisur në muajin qershor kanë mbetur të vdekur mbrëmjen e së hënës.
Dy viktimat ishin kunetër pasi 22-vjeçari ishte burri i motrës së Ersild Ishmit. E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 21.00 të mbrëmjes të së hënës ku dy viktimat kishin shkuar për të sheshuar konfliktin por situata ka dalë jashtë kontrolli dhe më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armëve nga vëllezërit Frroku.
Nga sa bëhet me dijë 33-vjecari Ersild Ishmi është qëlluar me dy nga plumba në gjoks dhe një në bark. Gjithashtu edhe Arsid Hoxha ka marrë dy plumba në bark dhe një në gjoks.
Plumbave nuk i ka shpëtuar as kamarieri Zyber Zagradi i cili është plagosur në këmbë dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi, informohet se: Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera menjëherë pas ngjarjes: -Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndaloi shtetasin Marjo Pali, 29 vjeç, banues në Shkodër; -në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Lezhës, u ndalua shtetasi Zyber Zagrad, 26 vjeç, banues në Dibër. Këta 2 shtetas, punonjës në një lokal në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja e mbremshme, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet shtetasve Eduard Frroku, Gëzim Frroku, Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi. Shtetasi Zyber Zagrad, rreth orës 23:20, është paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë, me armë zjarri. Ai dyshohet se është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të strukturave në varësi të saj, të mbështetura nga grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, vijojnë intensivisht kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve Eduard Frroku dhe Gëzim Frroku. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po kryhen hetime dhe po fiksohet çdo provë që do të mundësojë dokumentimin ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe individualizimin e përgjegjësisë penale së 2 shtetasve të ndaluar.



