
Partitë Popullore Europiane kanë miratuar një rezolutë, me anë të së cilës u kërkojnë autoriteteve shqiptare t’i japin mundësinë kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës të bëjë betimin. Vendimi ka ardhur pas nismës së partisë greke, Demokracia e Re.
Rezoluta dënon veprimet e qeverisë shqiptare ndaj minoritarit grek, kryebashkiak i zgjedhur, si dhe “ndërhyrjen e drejtpërdrejtë” të saj në procesin zgjedhor, e cila është “kundër vlerave europiane”, ndërsa theksohet se “asnjë vend që tenton të bëhet anëtare e BE-së nuk mundet të veprojë në këtë mënyrë”.
Në të njëjtën kohë, theksohet se “mospërfillja flagrante e qeverisë shqiptare për shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, të drejtat e minoritetit grek dhe mbi të gjitha acquis europiane krijon një vakum politik midis Shqipërisë dhe BE-së”.
Ndërkohë, në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama thotë se çështjaështë në dorë të institucioneve të drejtësisë, për ngritjen e të cilave ka dhënë mbështetjen edhe BE-ja.
Interesante! "Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare"... Një thirrje pa specifikuar se për cilat autoritete dhe, me siguri, pa qenë të informuar se në këtë rast problemi nuk është rezultati i zgjedhjeve, por i gjykatave, të cilat e kanë refuzuar një kërkesë të tillë. E përdora "me siguri" sepse do të ishte vërtetë shqetësuese nëse Partia e madhe Popullore Europiane do të kalonte një rezolutë me titullin "Sundimi i Ligjit" për të kërkuar një rezultat tjetër nga ai që është vendosur nga Prokuroria Speciale për Korrupsionin e Krimin e Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtën emër. Këto institucione u themeluan me mbështetje të plotë nga BE&SHBA dhe ndihmohen ngushtësisht nga SHBA&BE në punën e tyre deri këtu mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nëse është e nevojshme, jemi më shumë se të gatshëm të sigurojmë udhëheqjen e lartë të EPP-së me informacion mbi këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë. S’ka dyshim, se të gjitha autoritetet shqiptare e presin me shumë besim mbështetjen e vazhdueshme të EPP-së, si një zë i fortë i Europës sonë gjatë kësaj faze ndryshimi historik për vendin tonë, ku më në fund, zyrtarët e lartë po hetohen me thellësi përtej anësive politike, çka shënon fundin e një epoke të gjatë të pandëshkueshmërisë.



