Po sulmohet një gjyqtare e po mbështeten indirekt dhunuesit e jetës private

Po sulmohet një gjyqtare e po mbështeten indirekt dhunuesit e jetës private

U bënë ditë tanimë që shoqëria shqiptare është fokusuar te një ngjarje që ka në qendër një gjyqtare të Elbasanit që quhet Enkeleda Kapedani. Të shumtët e njerëzve janë duke ngritur zërin të revoltuar dhe kërkojnë largimin dhe shkarkimin e saj. Ata mendojnë se ajo nuk e meriton dhe nuk është në lartësinë e detyrës që mban, dhe të përgjegjësisë që përfaqëson. I ndodhur nën presionin e opinionit publik, është aktivizuar edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, i cili ka urdhëruar fillimin e një hetimi në ngarkim të saj. Shkak janë bërë disa video që sipas saj (dhe unë e besoj atë) janë bërë për qëllime e për konsum privat, dhe i përkasin jetës së saj private. Sidoqoftë, nga këto video del në pah një vajzë e shkathët, një vajzë vanitoze, spitullaqe, ku rafsha mos u vrafsha! Në fakt, në të gjitha videot rezulton një vajzë e tillë. Edhe në një video të fundit - nëse është e fundit, se unë kam frikë se edhe ndërsa unë jam duke folur, do të ketë dalë ndonjë foto tjetër nga njerëzi     e interesuar që ta vazhdojnë këtë lojë, edhe media është po ashtu e interesuar që të ushqejë dëshirën e këtyre njerëzve – ajo ishte përsëri në makinë, ishte i njëjti person apo personazh, edhe i lezetshëm, duke dëgjuar të njëjtën muzikë, një rap me tekste dhe fabula gangsterësh. Në një moment te caktuar, ajo bën gjestin e shkrepjes së pistoletës, e pak më pas, ajo u tregon njerëzve gishtin e mesit. Një vajzë çapkëne, shumë çapkëne.

Shqiptarët e kanë të vështirë, që këtë tipar të çapkënllëkut, të shkujdesjes ta asociojnë me një figurë, siç është figura e gjyqtarit. Shoqëria shqiptare është e gatshme t’u falë funksionarëve publikë të gjitha gjërat e mundshme. Dhe këtë gjë e ka bërë, ua fal edhe sot, do t’ua falë edhe nesër. Kjo është e sigurt. Por i do ata serioz (horra le të jenë, por), i do të jenë serioz. Ndodh kjo për shkak të nevojës që shoqëria shqiptare ka për të ndjekur respektimin rigoroz të një standardi konservator që është tipar i saj? Ndoshta! Por nuk duket se ky është i vetmi shpjegim. Edhe në shoqëritë e avancuara perëndimore, unë mendoj se do të ishte e zorshme të gjeje njerëz që ta mirëkuptonin një gjyqtare që papritur ekspozohet e bën gjeste të tilla. Madje unë ka frikë se në shoqëritë e avancuara të perëndimit, do të ishte edhe më e vështirë. Sepse atje, raporti i këtyre njerëzve me drejtësinë dhe me figurën e gjyqtarit është edhe më i fortë. Ata e shenjtërojnë figurën dhe detyrën e gjyqtarit. Ata mendojnë, ashtu siç mendojmë edhe ne, në fakt, se gjyqtarët kanë për detyrë të japin drejtësi. Dhe entitetin që jep drejtës referuar edhe qënies imagjinare që jep drejtësi në botën e përtejme, që është edhe e përjetshme, ata duan ta përfytyrojnë si të pacen. Gjyqtarët, sipas tyre, sipas meje dhe sipas të gjithëve, duhet të jenë të përkryer, të përsosur. Ata duhet të jenë etikë, të ndershëm, profesionistë, duhet të jenë modele që duhen ndjekur dhe imituar. Madje jo vetëm duhet të jenë, por edhe duhet të ngjajnë të tillë. Ndonjëherë, do të mjaftonte sikur edhe vetëm të ngjanin të tillë.

Shoqëria shqiptare po bën përpjekje, të paktën në letër, në planin ligjor, t’u përafrohet praktikave të tilla, apo t’u përafrohet, t’i bëjë të vetat vizione të tilla. Është miratuar pak kohë më parë, një kod etik për gjyqtarin, i cili ka synuar pikërisht këtë gjë. Ka synuar të disiplinojë gjyqtarin në jetën e tij private dhe publike. Ka synuar ta bëjë gjyqtarin që ta mendojë këtë gjë. kudo të jetë, duhet të jetë i kujdesshëm, dhe jo i shkujdesur. Ai duhet të ketë kufij, limite, duhet të jetë skrupuloz. Dhe kjo është gjëja që Enkeleda Kapedani, për fatin e saj të keq, nuk e ka bërë. Ajo e ka dhunuar këtë kod.

Për këtë arsye, këto video e nxjerrin figurën e gjyqtarit si një imazh jo fort të lezetshëm. Unë po të isha në vendin e saj, do të kisha dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit. Pasi të shfryhesha pak kundër fatit të keq që ra, rrethanave trillane, apo kundër atij apo atyre që nxorën në shesh këto video, unë do të kisha dhënë dorëheqjen. Jo prej detyrës së gjyqtares. Kurrë! Sepse nuk shoh asnjë arsye që një gjyqtare të japë dorëheqjen për një arsye të tillë. Por prej postit të nënkryetares së Gjykatës në Elbasan. Por (këtu ka një “por” që duhet nënvizuar fort) ajo po paditet, po akuzohet, po diskreditohet, po kryqëzohet për gjëra, për sjellje e veprime që i ka bërë në jetën e saj private dhe që ajo nuk do të binte dakord që të bëheshin publike. Unë e besoj! Këtë e ka thënë ajo, dhe unë atë e besoj. Unë e di që ka gjyqtarë (nuk e di se sa,  por ka gjyqtarë) që në jetën private nuk do të bënin gjëra që i ka bërë Enkeleda Kapedani. Por ka edhe të tjerë që do t’i bënin, madje do të ishin edhe më tepruar, edhe më të shkujdesur. Në jetën private, njeriu mund t’i bëjë që të gjitha gjërat. Secili prej nesh, ndoshta shumë prej nesh mund të jenë të pervertuar në jetën private. Prandaj, njerëzimi, apo pjesa perëndimore e njerëzimit, e ka parë të nevojshme të përforcojë muret, apo bedena, me të cilat rrethon privatësinë e vet, apo atë të njerëzve të vet. Privatësia është shumë e rëndësishme. Njerëzit nuk mund të japin llogari në publik për gjëra që i bëjnë në jetën private, qofshin këta edhe funksionarë publikë. Është absurde t’u kërkosh funksionarëve publikë të japin llogari për gjëra që kanë të bëjnë me jetën e tyre private. Privatësia është një gjë e shenjtë që nuk duhet të ngatërrohet. Jeta private nuk duhet të ngatërrohet me jetën publike.

Në këtë pikë, unë çuditem se si ne shqiptarët nuk gjejmë arsye për t’u ndalur te këta njerëz. Njerëz të tillë që përhapin, shpërndajnë, nxjerrin në publik video të jetës private të dikujt, video që s’u përkasin. Në rastin konkret, kanë nxjerrë disa video nga jeta private e gjyqtares Enkeleda Kapedani, pa lejen e kësaj të fundit. Madje, ajo është e keqja me e vogël. Ata i kanë nxjerrë për t’i prishur imazhin, për t’i shkatërruar karrierën e ndoshta edhe jetën. Ne shqiptarët i injorojmë njerëz të tilla pa të keq dhe veprimet e tyre i mirëkuptojmë, madje i falim. Nuk e kemi për gjë që të bëjmë lojën e tyre, siç po e bëjmë këtë lojë prej ditësh. Në fakt, nuk mund ta shmangnim këtë lloj diskutimi që u promovua nga sjellja në jetën private të gjyqtares Enkeleda Kapadani, pasi është një diskutim i rëndësishëm edhe në planin kulturor dhe politik. Ai ka të bëjë me ndarjen e jetës private nga jeta publike. Dhe është një diskutim për të cilin do të duhej të gjenim edhe arsye të tjera për ta bërë. E megjithatë, në të njëjtën kohë, ne jemi duke bërë  lojën e këtyre njerëzve që është një lojë e ndyrë, absolutisht e ndyrë. Edhe unë, me këtë monolog që po mbaj, jam duke ushqyer oreksin e tyre, jam duke u ardhur sipas midesë këtyre njerëzve. Dhe mua më vjen keq, që ndërsa unë po mbaj këtë monolog, ata janë duke u kënaqur e argëtuar. Më vjen keq që ata po kënaqen nëpërmjet meje.

Sipas meje, janë këtë njerëz që duhen hetuar e diskretituar të parët. Ata duhen dënuar. Dhe duhet bërë sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndryshe na piu e zeza! Na mori lumi që të gjithëve. Sepse secili prej nesh, nëse nuk ndalet te këta njerëz, nëse nuk i ndëshkojmë këta njerëz, secili prej nesh pra, është potencialisht i rrezikuar. Secili prej nesh mund ta shohë jetën e tij, brenda mureve të shtëpisë, aty ku ai mund të rrijë lakuriq, aty ku ai mund të bëjë me sherre me familjarët, ku masturbohet, apo nuk e di se çfarë mund të bëjë tjetër, ne mund ta shohim jetën tonë brenda mureve të shtëpisë, jashtë këtyre mureve, në arenën dhe agorën publike. Ashtu si po e sheh tani Enkeleda Kapedani. Dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Ne duhet t’u themi këtyre njerëzve: “Stop!”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy