
Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi tha në studion e MCN Economy se turizmi në vendin tonë po zhvillohet në mënyrë të veçuar nga sektorët e tjerë duke shtuar se i vetmi sektor që po e ndërlidh është ndërtimi.
Po ashtu Kortoçi tha se 2024 ka qenë një vit stabël dhe se ky stabilitet po transferohet dhe në 2025.
2024 ka qenë një vit i qëndrueshëm dhe ka qenë një vit i cili e përmbylli daljen e Shqipërisë nga kriza e pandemisë dhe më tej nga kriza Rusi-Ukrainë. 2024 është vit stabël dhe ky stabilitet po transferohet dhe në 2025 dhe transferimi në stabilitet, zhvillimi është më pak i ndjeshëm, qoftë në shifra dhe qoftë në një realitet të prekshëm.
Turizmi është një nga sektorët që ka një paqëndrueshmëri, ka një zhvillim i cili është përgjatë gjithë vitit, por nuk është ende i standardizuar përgjatë gjithë vitit, pra sjell të ardhura të kufizuara. Nga ana tjetër ajo që është më problematike, është informaliteti. Gjithë analizat bëhen në bazë të shifrave ose vlerave reale, ato që janë të dokumentuar. Ajo çka është tregu, dhe ajo çfarë kanë familjet është e ndryshme. Në rastin e turizmit, nuk përkthehet ende edhe për një arsye tjetër. Kemi të bëjmë me një sektor, turizmi, i cili po zhvillohet në mënyrë të veçuar nga sektorët e tjerë. I vetmi sektor që po e ndërlidh është vetëm sektori i ndërtimit, por apo ndërtojmë që të kemi sa më shumë turistë. Por nga ana tjetër kemi lënë mënjanë bujqësinë. Ne duam, të ofrojmë produktin ‘made in albania’, duam të ofrojmë recetat shqiptare, por nuk mund të ofrojmë receta shqiptare me produkte importi.



