
Një strategji të ngjashme me atë që ndoqi në Krime e sheh analisti i çështjeve ndërkombëtare, Medlir Mema, lëvizjen e fundit të presidentit Putin në lidhje me dy rajonet separatiste të Ukrainës. Në studion e lajmeve të MCN TV, Mema tha se ky është thjesht fillimi, ndërsa sanksionet e Perëndimit do të vijnë duke u shtuar.
Qëllimet e tij ishin të qarta. Ishte vetëm çështje kohe. Ka vendosur ta bëjë një ditë pas lojërave olimpike, njësoj si në rastin e Krimesë. Kjo që ai ka vendosur të bëjë është përshkallëzim i situatës. Nuk është fundi, është vetëm fillimi. Masat nuk janë kundër atyre dy rajoneve, por janë sanksione që kanë të bëjnë me ngritjen e fondeve bankare, që prekin mbi 300 ligjvënës rusë që kanë rekomanduar njohjen e këtyre rajoneve. Këtu kemi një paralelizëm me mënyrën si Rusia reagoi në rastin e Krimesë. Këto janë masa shumë të dobëta, jam i sigurt që në ditët në vijim do të vijohet më tej. BE ka hartuar një sërë nismash, Gjermania njoftoi pezullimin e Nord Stream. Masat merren të përshkallëzuara, nuk shkohet direkt te gijotina. Në vazhdimësi këto masa mund të bëhen edhe më të rënda, duke shkuar deri te Putin vetë. Përtej kësaj, luftë konvencionale kundër Rusisë nuk do të ketë. Por Rusia është një vend me potencial bërthamor dhe në Kushtetutën e vet e ka të shkruar që mund t’i përdorë ato në rast se cenohet sovraniteti i saj. Mbeten sanksionet. Çdo transaksion kalon përmes Nju-Jorkut. Ka një sistem Sëift, pa të cilin ekonomia ruse kthehet në shekullin XX.



