
Pedagogët kanë paralajmëruar protestën e radhës, me anë të së cilës kërkojnë rritjen e pagave. Për deputeten e Partisë së Lirisë, kjo protestë është një kambanë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi në Shqipëri. Në studion e lajmeve të MCN TV, Xhixho tha se mosplotësimi i kërkesave të tyre të drejta mund të çojë në kolaps të vitit akademik, në një kohë kur qeveria i ka paratë për t’ua rritur pagat në nivelet e kolegëve të tyre në Kosovë.
Protesta e pedagogëve është një kambanë alarmi për arsimin. Kërkesat që ata kanë depozituar prej dy javësh janë të realizueshme. Pedagogët tanë janë të keqpaguar, 50% më pak se Kosova. E kanë nisur nga rritja e çmimeve dhe inflacionit. Kërkojnë një pagë dinjitoze sa Kosova, kërkojnë rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor.
Së pari, unë jam pjesë e Universitetit të Tiranës prej dy vitesh. Investimin në arsim e kam bërë gjithë jetën dhe do ta vazhdoj. Protesta që është thirrur nesër, e paralajmëruar nga sindikata është një paralajmërim. Protesta e nesërme dhe diskutimet aty do të jenë një paralajmërim për pëshkallëzimin që mund të çojë në kolaps të vitit akademik.
Të gjithë e dimë ku shkojnë paratë. Mjafton të ndalojë qeveria PPP-të dhe kërkesat e tyre janë mëse të realizueshme. Qytetarët po përballen me rritjen e çmimeve dhe një krizë ekonomike. Nuk është pasojë e luftës, as kjo krizë. Është keqmenaxhim i sektorit energjetik.
Xhixho tha më tej se drama e shpopullimit po reflektohet në rënien e numrit të nxënësve dhe studentëve. Sipas saj, as incentivat e qeverisë për degët prioritare nuk po ndezin dot interesin e të rinjve për t’u regjistruar në to.
Nëse e patë në ditën e parë të shkollës, vetë kam qenë në shkollën Ibrahim Basha. E njëjta gjë po transferohet edhe në universitete. Studentët po zgjedhin degë që u japin mundësi të ikin jashtë.
Ministria e Arsimit ka dhënë 15 degë prioritare, në mënyrë që të incentivohen studentët. Zero efekt. Kjo është një dramë dhe fatkeqësi shumë e madhe për vendin.
Xhixho e konsideron të drejtë kërkesën e studentëve për përfshirjen në paketën e solidaritetit.
Kjo qeveri po jep një mesazh që unë nuk i njoh studentët. Është një shtresë vulneravël, mbahen nga prindërit pas dy vitesh pandemi. E pamë sa funksional ishte mësimi online.
Për 124 mijë studentë, kostoja është 12.5 milionë euro, pra pak më shumë se gjysma e një kilometri rrugë me PPP. Nëse kjo qeveri ndërpret pagesat e inceneratorëve, lekët janë.



