
Një nga aktorët më të famshëm të Europës është nderuar në Kanë me çmimin e karrierës. Alain Delon, tashmë 83 vjeç, yll i kinemasë franceze dhe një nga seks simbolet e ekranit për vite me radhë, u përlot në skenë kur iu rikthye të shkuarës.
“Nuk e doja për vete këtë Palmë të Artë. Ajo nuk më takon mua, por regjisorëve me të cilët kam punuar si Visconti, Rene Clement, Melville apo Jacques Deray. Ata nuk janë më sot dhe unë e pranoj këtë çmim në emër të tyre”, ka thënë Delon para një publiku që u ngrit në këmbë në nderim të tij.
Delon e ka ndezur opinionin publik gjatë viteve të fundit, me deklaratat e tij që nisin nga ajo për miqësinë me lideren e ekstremit të djathtë francez, Jean-Marie Le Pen, te qëndrimi kundër homosekualëve e deri te të pranuarit publikisht se ka qëlluar femrat me shpullë.
Megjithatë, në lidhje me këto të fundit, në fjalimin e tij në Kanë u tregua mirënjohës.
“Për të gjithë karrierën time u detyrohem grave. E kam bërë prej tyre. E kam nisur rastësisht. Nuk kisha vokacion për aktor siç kishin aktorë të atij brezi, si Lino Ventura, Burt Lancaster apo Jean Gabin. Sapo isha kthyer nga Indokina dhe nuk kisha gjetur punë. Më shpëtoi një aktore e re, Brigitte Auber. Në vitin 1957, pa pasur rol në asnjë film, erdha me të për herë të parë në Kanë”, rrëfeu ai.
Ndërsa në një intervistë për “Journal dy Dimanche”, që parapriu ceremoninë e nderimit me çmim, Delon ka shpjeguar edhe qëndrimet e tij lidhur me homoseksualët.
“Nuk jam kundër martesave gei. Nuk më intereson, njerëzit le të bëjnë atë që u pëlqen. Por jam kundër adoptimit të fëmijëve nga dy njerëz të të njëjtës gjini”, ka thënë ai.
Në të njëjtën intervistë, Delon ka sqaruar edhe deklaratat për femrat. “Kam thënë se do ta qëlloja një grua me shpullë? Po. Duhej të kisha shtuar se kam marrë më shumë sesa kam dhënë shpulla. Por nuk kam ngacmuar kurrë një grua në jetën time. E megjithatë, ato më kanë ngacmuar dhe jo pak”, është shprehur ai në intervistë.
Ndërsa në lidhje me pikëpamjet e tij politike, aktori veteran ka sqaruar: “Jam i djathtë dhe pikë”, duke shtuar se nuk mbështet ekstremin e djathtë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



