Kreu i PD i është drejtuar përmes një letre pjesëmarrësve të Samitit të Diasporës Shqiptare duke u uruar mirëseardhjen në atdhe.
Në letrën e tij Lulzim Basha shpjegon arsyet e mungesës duke thënë se e kishte te pamundur t’i përgjigjej ftesës së Ramës për të marrë pjesë në mbrëmjen gala.
“Do të kisha dashur shumë të kisha ndarë mendimet nga afër me ju në tryezën e diskutimeve dhe të rrahjes së ideve, por e vetmja mundësi që organizatorët e samitit më dhanë është t’ju përshëndesja në mbrëmjen gala që qeveria ka planifikuar për nderin tuaj. Duke qenë se e kam të pamundur të marrë pjesë në këtë mbrëmje gala, po ndaj me ju publikisht, me përunjësi disa mendime të miat” – shkruan Basha.
Në letrën e gjatë kryedemokrati shprehet se ccdo lloj kontributi në Shqipëri i diasporës është i vyer dhe i rëndësishëm.
“Investimet e diasporës në çdo fushë të ekonomisë janë të mirëpritura si ujët e pakët. Burimet dhe mundësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Partia Demokratike ka gati një projekt të ri të stimulimit të investimeve private përmes uljes së taksave dhe çlirimit të sipërmarrjes nga monopolet klienteliste dhe një mori pengesash që ndrydhin lirinë e saj” – shkruan Basha.



