
Policia shqiptare njofton se është arrestuar në Ohio, SHBA, një person i dënuar në Shqipëri, me 25 vjet burgim, dhe në Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për vrasje.
I arrestuari, në muajin mars 1997, vrau dy vëllezër, në Patos, dhe 5 muaj më pas, vrau në Belgjikë, një shtetase shqiptare, të cilën e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve shqiptarë, homologëve të tyre në Uashington, Mançester dhe Bruksel, Marshallëve Amerikanë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u arrestua në Ohio, shtetasi shqiptar i kërkuar që prej vitit 1997, Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Hoxha, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.
Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29 gusht 1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, Brunilda Dervishi, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Policia e Shtetit po punon ngushtë me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së, për ta kthyer 51-vjeçarin për t'u përballur me drejtësinë në Shqipëri.



