Kryeministri Edi Rama ka folur sot lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike trilaterale mes Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Greqisë, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, për zhvillimin e sektorit të gazit të lëngshëm natyror dhe forcimin e sigurisë energjetike në rajon.
Në rubrikën ‘Flasim’, Rama theksoi se marrëveshja përfshin zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin afatgjatë me gaz të lëngshëm amerikan për Shqipërinë.
Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, projekti përfshin edhe transformimin e TEC-it të Vlorës, i cili do të kalojë nga përdorimi i naftës në gaz, duke rritur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë energjetike të vendit.
Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.
Kryeministri nënvizoi se investimi do të ndikojë edhe në rritjen e kapaciteteve për teknologjitë e së ardhmes, përfshirë inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave.
Në të njëjtën kohë, Vlora pritet të shndërrohet në një nyje strategjike për shpërndarjen dhe eksportin e gazit në rajon, përmes lidhjes me Gazsjellësi Transadriatik (TAP), duke përforcuar rolin e Shqipërisë në hartën energjetike europiane.



