
Pas një seance plenare që zgjati rreth pesë orë, Partia Socialiste miratoi e vetme projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, ndërsa Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë vijuan bojkotin e punimeve të Kuvendit.
Kuvendi miratoi një sërë projektligjesh dhe projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.
PD vazhdoi bojkotin e seancës, duke kërkuar që Kuvendi të shqyrtojë ndryshimet ligjore të propozuara nga protestuesit.
Me votat e mazhorancës u miratuan disa projektligje, kryesisht në sektorin e bujqësisë, mes tyre edhe projektligji për Censin e Bujqësisë, i cili parashikohet të nisë në muajin tetor.
Gjatë votimeve pati edhe qëndrime të ndryshme brenda shumicës.
Deputeti socialist Erion Braçe, siç kishte paralajmëruar gjatë diskutimeve në sallë, votoi kundër projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore". Kundër votoi edhe deputeti i opozitës Erald Kapri.
Braçe abstenoi gjithashtu gjatë votimit të disa ndryshimeve në ligjin "Për librin".
Kuvendi miratoi edhe rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së 10 institucioneve publike, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bankën e Shqipërisë, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, INSTAT, AKEP, RTSH, AMA, Entin Rregullator të Energjisë dhe Entin Rregullator të Ujit.
Ndër projektligjet e miratuara ishte ai "Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore", i cili u miratua me 77 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër.
Po ashtu, u miratua projektligji për Censin e Bujqësisë me 78 vota pro dhe 1 kundër, si edhe ndryshimet në ligjin për menaxhimin e kimikateve me 78 vota pro dhe 1 kundër.
Projektligji për mbrojtjen e tokës bujqësore u miratua me 77 vota pro dhe 2 kundër, nga Erion Braçe dhe Erald Kapri.
Mazhoranca miratoi gjithashtu marrëveshjen e bashkëpunimit teknik me Gjermaninë për vitin 2025, marrëveshjen e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe lidhjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.
Deputetët miratuan gjithashtu, me 76 vota pro dhe 2 kundër, projektvendimin për emërimin e Argita Frashërit si anëtare e Këshillit të Statistikave.
Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi me 78 vota pro dhe 2 kundër zgjatjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore deri më 30 nëntor 2026.



