
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dëshmuar sot në Prokurorinë e Tiranës lidhur me kontratat e lobimit në SHBA. Prokuroria kishte nisur paraprakisht verifikimet për kontratën e lobimit të PD me disa kompani amerikane në nëntor të vitit 2017.
Objekt i këtij verifikimi është sqarimi i burimit të financimit për këto kontrata dhe skanimi i tyre për të parë nëse transaksionet kanë qenë të rregullta ligjërisht.
Kontrata e parë e lobimit ishte ajo mes PD dhe ‘Stonington Strategies’ me vlerë 25 mijë USD në muaj. Afati i kontratës ishte tre mujor dhe qëllimi i saj ishte ‘projektimi dhe implementimi’ i fushatës së PD. Qëllimi i saj ishte promovimi i qëllimeve të PD në media dhe pranë figurave politike në SHBA.
Më pas, PD bëri edhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesëmarrje në evente në Uashington D.C.
Lidhur me këtë çështje, prokuroria ka thirrur pos kreut të PD-së, edhe Arben Ristanin, Gazment Bardhin si dhe Ilir Dervishin. Thirrja e tyre në organin e akuzës ka ardhur pas mbërritjes së dy letërporosive nga SHBA dhe Skocia.
Duke e cilësuar paraprakisht si një çështje të iniciuar nga qeveria dhe të montuar politikisht, lideri demokrat Basha, nuk ishte paraqitur të enjten për të dhënë dëshminë e tij lidhur me këtë çështje, ndërsa sot u shpreh se ishte vetë PD-ja që i kërkoi prokurorisë që të verifikonte dhe hetonte plotësimin e formularëve të deklarimit për financimet në KQZ.
Lidhur me këtë hetim, kreu i PD-së, i kërkoi Prokurorisë që të bëjë publike dy letërporositë e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania.
Sipas Bashës, në të dy letër-porositë është vërtetuar se PD nuk e ka shkelur ligjin.
Mirëpo, në njoftimin zyrtar, të Prokurorisë thuhet se objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën elektorale të vitit 2017.
Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh.
Sipas akteve të ardhura nga letër-porositë e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa, në kundërshtim me ligjin. Marrja në pyetje e shtetasve të mësipërm është një proces normal në rrjedhën e zhvillimit të hetimeve dhe në kohën e çmuar si të përshtatshme në raport me provat e administruara. Nga provat e administruara në dosje, rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD.
Pas deklaratës së Bashës se prokuroria i ka nisur hetimet për lobimet e PD pas kërkesës së kësaj të fundit, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.
Në një reagim në “Facebook”, Balla e akuzon Bashën si mashtrues pasi, sipas tij, hetimi nuk ka ardhur prej kërkesës së këtyre të fundit. Balla i rikujton Bashës se ishte ai që bëri denoncimin ndaj tij, si dhe FBI dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë.



