Trump propozon planin e paqes në Lindjen e Mesme/ Jeruzalemi kryeqytet edhe i Izraelit, edhe i Palestinës (VIDEO)

Trump propozon planin e paqes në Lindjen e Mesme/ Jeruzalemi kryeqytet edhe i Izraelit, edhe i Palestinës (VIDEO)

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri të ditur zgjidhjen e tij për paqen në Lindjen e Mesme duke propozuar një "marrëveshje përfundimtare" për të cilën u shpreh se propozimi i detajuar 80-faqësh do të ishte një "zgjidhje realiste dy-shtetesh", për të cilën tashmë Izraeli ka rënë parimisht dakord për bisedime.

"Sot Izraeli hedh një hap të madh drejt paqes. ...Unë nuk jam zgjedhur për të bërë gjëra të vogla apo për t’u ikur problemeve të mëdha ...Dje, Kryeministri Netanyahu më njoftoi se është i gatshëm të mbështesë vizionin si bazë për negociata të drejtpërdrejta me palestinezët, një përparim historik”, tha Trump në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë, në një fjalim të brohoritur dhe duartrokitur nga publiku.

Në një seri deklaratash, disi kontradiktore Trump tha se plani:

- E përcakton Jeruzalemin si një kryeqytet "të pandarë" të Izraelit, por me një kryeqytet të mundshëm palestinez në seksionet lindore të qytetit.

- Njeh vendbanimet e Izraelit në territorin e pushtuar palestinez si pjesë të vendit.

- Ofron mundësi në të ardhmen për shtetësi palestineze gjë që do të dyfishonte territorin palestinez si pjesë të vendit", pa specifikuar se cilit territor i referohej.

- Çon në krijimin e "1 milion" vendeve të reja pune për palestinezët dhe trefishon Prodhimin e Brendshëm Bruto të saj.

Në komentet e tij, Netanyahu shkoi më tej, duke thënë se plani i Trump njeh sovranitetin e Izraelit mbi zona të tjera të mëdha të territorit palestinez dhe se do të kërkojë të çarmatosë plotësisht grupin militant Hamas.

"Një plan i shkëlqyeshëm për Izraelin, është një plan i shkëlqyeshëm për paqen", tha ai. Netanyahu tha se "status quo" i kontrollit të Izraelit mbi territoret palestineze do të qëndrojë në vend derisa të arrihet një marrëveshje, për të cilën ai parashikonte se do të duheshin vite të tëra.

Ai shtoi duke iu drejtuar Trump: "Ju keni qenë miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë".

Ndërkohë zëdhënësi i organizatës “Hamas” Abu Zuhri i ka quajtur marrëzi propozimet e Trump në planin e tij të Lindjes së Mesme dhe se komentet e tij janë "agresive" dhe do të ngjallin shumë zemërim.

"Deklarata e Trumpit rreth Jeruzalemit është e pakuptimtë dhe Jeruzalemi do të jetë gjithmonë një tokë për palestinezët ... Palestinezët do të përballen me këtë marrëveshje dhe Jeruzalemi do të mbetet një tokë palestineze”, ka thënë ai për “Reuters”.

Ambasadori palestinez në Mbretërinë e Bashkuar, Husam Zomlot dhe Saeb Erekat, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Çlirimit të Palestinës, e kanë quajtur planin një "mashtrim".

Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, u shpreh se plani kishte të bënte më shumë me problemet ligjore të Trump dhe Netanyahu sesa me vetë paqen.

Liderët palestinezë prej kohësh e kanë hedhur poshtë Trump si të njëanshëm ndaj tyre dhe e kanë kundërshtuar propozimin e tij.

Zyrtarët amerikanë kërkuan mbështetje për planin nga vendet arabe, ndaj, ambasadorët e Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Oman ishin të pranishëm të martën. Sidoqoftë, përfaqësues nga vendet e Lindjes së Mesme që kanë qenë jetike në përpjekjet për paqe në të kaluarën si: Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordani, nuk morën pjesë.

Trump ftoi Netanyahu-n dhe kundërshtarin e tij kryesor, Benny Gantz, në Shtëpinë e Bardhë këtë javë për të diskutuar propozimin, pasi politikanët izraelitë do të jenë kundër njëri-tjetrit në zgjedhje në 2 mars, dhe Uashingtoni do të sigurohet për vijimësinë e planit, pavarësisht nga rezultati.

Gantz e quajti planin një "gur të rëndësishëm historik" dhe tha se ai do të punonte për ta zbatuar nëse fiton zgjedhjet.

Trump dhe arkitekti kryesor i planit, dhëndri i tij, Jared Kushner, e kanë vonuar shumë herë paraqitjen zyrtare të planit pavarësisht se filluan ta ndërtojnë që në vitin 2017.

Paraqitja e tij, pikërisht tani është interpretuar si një mënyrë për të shpërqendruar vëmendjen nga gjyqi i Trump dhe për të ndihmuar aleatin e tij, Netanyahu. Udhëheqësi 70-vjeçar izraelit përballet me tri aktakuza penale për korrupsion dhe ka një fushatë zgjedhore të pasigurt në prag.

Protesta të vogla u mbajtën në Bregun Perëndimor të okupuar të Martën, me adoleshentë që dogjën goma në rrugë. Tubime më të mëdha janë planifikuar për ditën në vijim. /The Guardian, Reuters/

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy