Prokuroria e Posaçme ka avancuar hetimet për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, duke e marrë zyrtarisht si të pandehur për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në të njëjtin hetim janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Divjakë, mes tyre Andi Bullari, Ledio Xharo dhe Dorian Spaho.
Gazetari Arsen Rusta në “MCN Live”, u shpreh se hetimi lidhet me dy kontrata qiraje për një sipërfaqe prej 67 hektarësh tokë, të lidhura mes Bashkisë Divjakë dhe kompanive “AG Hpower Construction” dhe “Intex SHPK”.
Rusta deklaroi se dokumentacioni i administruar gjatë hetimit ka nxjerrë dyshime se toka, e regjistruar si pronë shtetërore dhe me status bujqësor, është dhënë në përdorim për një qëllim tjetër nga ai i deklaruar fillimisht.
Për shkak të kompetencës, sa i përket subjektit të ish-kryebashkiakut Fredi Kokoneshi, është zbuluar një aferë e cila ka ndodhur disa vite më parë në territorin e Bashkisë Divjakë. Bëhet fjalë për një kontratë qiraje masive. Pushteti lokal ka dhënë kontrata qiraje, por kjo kontratë për 67 hektarë tokë, sipas materialit të siguruar, është dhënë në mënyrë të kundërligjshme, duke shkelur ligjin dhe duke shpërdoruar detyrën.
Sipas gazetarit, kontratat ishin lidhur me një afat përdorimi 10-vjeçar dhe në dokumente qëllimi ishte paraqitur si kultivim ose përdorim tjetër i tokës, ndërsa hetimi ka evidentuar se sipërfaqja do të shërbente për instalimin e paneleve fotovoltaike.
Ka rezultuar se Bashkia e Divjakës ka lidhur dy kontrata përdhënieje me qira për një sipërfaqe toke prej 67 hektarësh. Kontratat janë lidhur ndërmjet dy kompanive, ‘AG Hpower Construction’ dhe ‘Intex SHPK’, me afat përdorimi prej 10 vitesh. Qëllimi i deklaruar ishte marrja në përdorim e kësaj toke për kultivim apo ndërtim, por ajo që është dokumentuar është se kjo kontratë qiraje do të përdorej për instalimin e paneleve fotovoltaike.
Hetimi ka nisur pas referimit të Prokurorisë së Fierit në nëntor të vitit 2022, ndërsa tashmë çështja është nën shqyrtimin e Prokurorisë së Posaçme. Sipas Rrustës, vendimi për marrjen si të pandehur është marrë pa masa sigurie, për shkak të kohës së kaluar dhe parashikimit ligjor për veprën penale.
SPAK, me prokuror Alvin Gogaj, ka kërkuar marrjen e tyre si të pandehur zyrtarisht dhe përballjen me drejtësinë. Arsyeja pse janë hetuar pa një masë sigurie lidhet me kohën e kaluar, por edhe me masën e dënimit që parashikon vepra penale.
Sipas hetimeve paraprake, dyshimet lidhen me mënyrën e administrimit të pronës publike dhe nëse zyrtarët lokalë kanë respektuar procedurat ligjore gjatë dhënies me qira të tokës.
Shqyrtimi ka nxjerrë në pah se këto sipërfaqe ishin të regjistruara si prona të shtetit dhe toka bujqësore, por janë dhënë në përdorim për panele fotovoltaike. Përballja gjyqësore do të përcaktojë nëse kemi vetëm shpërdorim detyre apo nëse do të ketë elementë të tjerë penalë.
Çështja pritet të vijojë me fazat e mëtejshme procedurale, ndërsa gjykata do të jetë ajo që do të përcaktojë përgjegjësitë ligjore të personave nën hetim.



