
Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Babrrusë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh.
Autor është identifikuar 18-vjeçari, R. M, i cili pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit.
Si pasojë e të shtënave janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Zbulimi", efektivët e Policisë arritën të lokalizonin dhe të vinin në pranga 18-vjeçarin rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.
Gjatë kontrolleve në zonë u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike e dyshuar se është përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.



