
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet vendore.
Në një dalje për mediat në përfundim të takimeve që pati sot me partitë e opozitës, Meta konfirmoi shtyrjen e zgjedhjeve për në tetor.
Kreu i shtetit tha se shkaku i dekretimit të datës së re (13 tetor) është mungesa e vullnetit të kryeministrit për t'u ulur në dialog.
"Jemi këtu për të bërë maksimumin për të shmangur një konflikt jo vetëm politike e insitucional, por edhe social. Mbrëmë u detyrova t’i kërkoj kryeministrit një takim. Konsultimet e mia nisën menjëherë pas dekretimit të anulimit të zgjedhjeve. Vendimi për të nxjerrë një datë të re ka qenë për shkak të mungesës së vullnetit nga të gjitha palët për të marrë pjesë në dialog. Rama nuk pati kohë për takime, unë i dhashë kohë gjatë një orari që nuk ka takime elektorale. Për mua nuk ka gjë më të rëndësishme sesa stabiliteti i vendit dhe kredibiliteti i Shqipërisë si vend që do të drejtojë vetë OSBE-në vitin që vjen. Më vjen keq për reagimin e Ramës, por nuk do ta humbas qetësinë. Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës. Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama. Ai e di mirë se unë di të ndaj anën personale dhe familjare me anën shtetërore dhe institucionale. Për mua tjetër është Monika dhe tjetër republika. Dua të bëj të qartë se axhenda ime është axhenda e presidentit të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s prej 10 vitesh, një vend që nuk dëshiron të dalë nga rruga europiane. Axhenda ime është: Edi reflekto. Atij i kam kërkuar prej 6 vitesh, edhe kur ishim në koalicion që duhet të bëjë dallimin mes të qenit kryetar i PS dhe të qenit kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ky është detyrim suprem. Rama është kryeministër edhe i atyre që protestojnë. Janë edhe ata taksapagues të kësaj qeverie", tha Meta.
Rama: Thjesht mëshirojeni, 30 qershori është e vetmja datë zgjedhjesh
Ndërkohë, kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e presidentit. Rama shprehet se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe e quan vendimin e Metës një produkt të revolucionit imagjinar të “filxhanit”.
“A ju thashë prisni çmendurinë e dytë? Tani thjesht mëshirojeni Data e nxjerrë nga filxhani i revolucionit imagjinar është një NULLUM ABSOLUTUM dhe QUOD NULLUM EST NULLUM PRODUCIT EFFECTUM. 30 QERSHORI ESHTE E VETMJA DATE ZGJEDHJESH”, shkruan Rama.
Meta me PD-në dhe aleatët e saj të vegjël, diskutohet një datë e re zgjedhjesh
Presidenti Ilir Meta mund të dekretojë një datë të re zgjedhjesh. Kjo u la të kuptohet në një deklaratë të kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, pas daljes nga Presidenca. Shehi dhe aleatë të tjerë të PD-së u thirrën sot për konsultime nga presidenti Meta.
“Patëm një diskutim me ftesë të Presidentit për situatën që po rëndohet. Presidenti ka një ide të tillë që zgjedhjet ligjërisht me datë 30 nuk bëhen se kemi një dekret të Presidentit. Besoj se do të bëjë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjesh për të ulur tensionin politik gjithmonë para datës së hapjes së negociatave të tetorit. Ky është diskutimi bazë, për këtë po ikim të takojmë dhe aleatët. Nga darka besoj se do të dalë një gjykim i përbashkët. Mendimin tonë unik do ta nxjerrim me PD dhe aleatët e tjerë”, tha Shehi.
Kreu i shtetit ka pritur sot Lulzim Bashën, Petrit Vasilin dhe përfaqësuesen e Këshillit të Europës.
Ndërkohë, thirrjes së tij ditën e djeshme nuk iu përgjigj kryeministri Edi Rama. Ky i fundit refuzoi kërkesën e Metës për takim, me argumentin se është i zënë me fushatën që mbyllet të shtunën.
Takimet në Presidencë
Një orë para afatit të caktuar nga presidenti Ilir Meta për zhvillimin e takimeve me krerët e partive politike, në presidencë kanë mbërritur edhe aleatët e djathtë. Në takim me kreun e shtetit Ilir Meta kanë shkuar kreu i LZHK, Vangjel Dule kreu i PBDNJ, kreu i PAA Agron Duka dhe një përfaqësues i partisë Republikane. Aleatët e PD-së kanë qenë të parët që kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, edhe përpara se presidenti të nxirrte dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit.
Poashtu pas përfundimit të takimit me nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili, presidenti Ilir Meta ka shpërndarë të njëjtjën thirrje si pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha.
"Në vijim të konsultimeve me partitë politike për zgjidhjen e krizës aktuale në vend, prita sot në takim nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Petrit Vasili. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë", shkruan Meta.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme, në presidencë në takim me kreun e shtetit Ilir Meta ka qenë Jutta Gützkow, shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë. Mësohet se në fokus të diskutimeve ka qenë kriza aktuale politike në vend.



