
Policia e Elbasanit del me deklaratë sqaruese lidhur me shpërthimin e makinës në Gramsh ku për pasojë mbetën të plagosur dy vëllezër.
Në deklaratë përjashtohet pista e atentatit, por dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se lënda plasëse ndodhej në kroskotin e makinës.
Në lidhje me informacionin e dhënë për një shpërthim të ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, në automjetin tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi Algert Mine dhe pasagjer vëllai i tij Erald Mine, gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, policia thotë se dyshohet që ngjarja të ketë qenë aksidentale.

Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethanave qe kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.
Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit pra nuk bëhet me lëndë eksplozive, por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicie për veprim kriminal ndaj të dëmtuarve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.



