Qarku i Shkodrës është zgjuar ditën e sotme nën ujë si pasojë e rreshjeve të dendura të shiut që kanë pushtuar vendin tonë ditët e fundit.
Si rezultat i prurjeve të ujit disa familje në lagjen Perash të Shkodrës janë përmbytur dhe për pasojë është dashur ndërhyrja e FNSH-së për evakuimin e tyre.
Gjatë 24 orëve të fundit qarku i Shkodrës ka rritje të nivelit të ujit nga prurjet, shkarkimet, dhe reshjet. Në territorin e Bashkisë Shkodër, janë rritur së tepërmi nivelet e lumenjve.
Lumi Buna ka dalë nga shtrati. Rritja e nivelit të liqenit ka krijuar vështirësi qarkullimi në disa të lagje qytetit, duke rrethuar nga uji territorin që shtrihet në pjesën veriperëndimore të qytetit si lagjet nr.1 dhe nr. 2, në Livadhe, Xhabije, Tophanë, Zoteknikë, shtëpitë në lagjen Tepe, Perash.
Gjatë natës forcat zjarrfikëse kanë punuar për largimin ujit nga shtëpitë të cilat kanë patur prezencë uji në oborre, duke parandaluar dëmtimin e disa banesave.



