Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Lejen së bashku me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministrin Edi Rama, do të çelin të hënën e ardhshme në Bruksel konferencën ndërkombëtare të Donatorëve për Rindërtimin e Shqipërisë.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant, duke bërë të ditur axhendën Von Der Leyen, tha se gjatë konferencës do të nënshkruhet edhe programi për mbështetjen e Shqipërisë me një vlerë prej 15 milion eurosh.
“Në orën 14:15 Presidentja e Komisionit Europian dhe kryeministri Edi Rama do të nënshkruajnë programin për mbështetjen e Shqipërisë lidhur me rindërtimin me një vlerë prej 15 milionë euro. Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në 14:30. Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit. Në përfundim të konferencës së donatorëve, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp“, tha zëdhënësia.
Kjo konferencë e cila organizohet nga presidentja e KE, ka për qëllim mbështetjen për fazën e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri.
Pjesë do të marrin edhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vendet antare të Bashkimit Europian , vende të Ballkanit Perëndimor, por edhe kryeministri Kanadez Justin Trudeau.
Në përfundim të konferencës, Von der Leyen dhe kryeministri Rama, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.



