
Lëvizja 5 Yjet dhe Lega duket se po shkojnë drejt formimit të një qeverie. Një komunikatë e përbashkët e firmosur nga dy liderët, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini, e shpërndarë në orët e pasdites sqaron se si do të jetë kjo qeveri.
Presidenti Sergio Mattarella thirri kryeministrin e mandatuar Carlo Cottarelli për të regjistruar tërheqjen e tij dhe më pas thirri kryeministrin e propozuar pak ditë më parë nga dy partitë kryesore, Giuseppe Conte.
Lega dhe Lëvizja 5 Yjet duket se i kanë dhënë zgjidhje edhe çështjes Savona. I shumëpërfoluri "armiku i euros", Paolo Savona, që “ngeli në klasë” qeverinë "Conte 1" do të marrë postin e ministrit për Çështjet Europiane. Ministria e Ekonomisë pritet t’i besohet Giovanni Tria-s, profesor ekonomie politike dhe drejtues i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Romës.
Marrëveshja parashikon Giuseppe Conte-n kryeministër. Në postin e ministrit të Jashtëm do të jetë Enzo Moavero-Milanesi.
Duket se kjo ka qenë një ditë shumë intensive dhe plot të papritura për politikën italiane. Vetë Conte ka mbërritur në Romë me tren nga Firenze, ku kishte dhënë si zakonisht leksionin e radhës në universitet. Por në fund të ditës, një hap e ndan nga zyrtarizimi qeverinë e tij. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



