Norvegjia ka konfirmuar se do të vazhdojë zgjerimin e prodhimit të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për sigurinë energjetike të Evropës.
Ministri i Energjisë, Terje Aasland, deklaroi se vendi ka “përgjegjësi” të mbulojë mungesat e krijuara nga lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Qeveria norvegjeze njoftoi rihapjen e tre fushave të gazit të mbyllura që prej vitit 1998 – Albuskjell, Vest Ekofisk dhe Tommeliten Gamma të cilat pritet të rikthehen në funksion deri në vitin 2028.
Ky vendim synon të mbajë prodhimin në nivelet aktuale prej rreth 2 milionë fuçi naftë në ditë. Autoritetet norvegjeze paralajmërojnë se Evropa do të ketë nevojë për naftë dhe gaz edhe për dekada, ndërsa Norvegjia synon të mbetet furnizuesi kryesor i rajonit.
Ndërkohë, planet për zgjerimin e shpimeve në Detin Barents kanë shkaktuar reagime të forta nga organizatat mjedisore dhe opozita, të cilat akuzojnë qeverinë për “larje të gjelbër”.
Gjiganti energjetik norvegjez Equinor ka bërë të ditur se do të investojë miliarda dollarë në zhvillime të reja dhe shpime deri në vitin 2035, me synimin për të ruajtur nivelet e larta të prodhimit.



