Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mori porosi shumë të rënda të Donald Trump, nga i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell.
Sipas mediave serbe, të cilat, edhe pse nuk kanë dhënë shumë detaje, kanë thënë se takimi midis Vuçiç dhe Grenell ishte shumë i vështirë. Sipas Blic.rs, pas takimit, Vuçiç nuk donte as të bënte deklaratë për shtyp.
Grenell është një njeri me besimin më të lartë nga Trump dhe erdhi me një mandat të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, shkruan Blic.rs.
Siç mëson ky medium, porositë që Vuçiç mori nga Grenell mbajnë peshë të madhe për Serbinë.
“Takimi, ku u diskutua zgjidhja e çështjes së Kosovës, zgjati më shumë se një orë”, thuhet ndër tjerash në shkrimin e këtij medium.
Se takimi nuk ka qenë i lehtë e ka konfirmuar edhe këshilltarja e presidentit serb, Suzana Vasiljeviç, e cila ka thënë se takimi midis Aleksandar Vuçiçit dhe të dërguarit special të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell ishte shumë i vështirë, por nuk mund të jepte shumë detaje.
Ajo i ka thënë “TV Prva” se Vuçiç dhe Grenell biseduan për dhjetë minutat e para, “sy më sy”, dhe më pas atyre iu bashkua drejtori i të ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.
Vasiljeviç gjithashtu ka thënë se shpesh ndodh që takimet të jenë të vështira kur bëhet fjalë për Kosovën, por siç shtoi ajo, nuk kanë qenë asnjëherë në atë masë që presidenti të mos dëshirojë të flasë as me bashkëpunëtorët e tij dhe të kërkojë kohë për të menduar se si të komunikojë atë se çfarë mund të jetë një zgjidhje për atë që mund të ketë dëgjuar nga Grenell.
Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.



