Temperaturat e larta kanë bërë që e gjithë vija bregdetare e Durrësit të mbipopullohet që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.
Këto ditë të nxehta kanë rritur ndjeshëm numrin e pushuesve, duke boshatisur qytetin. Vendas dhe të huaj kanë zgjedhur plazhet e Adriatikut për t'i shpëtuar vapës përvëluese.

Duke vlerësuar natyrën, mikëpritjen, por edhe klimën pushuesit thonë se do t'ia rekomandonin me kënaqësi miqve pushimet në Durrës.
“Më pëlqen ushqimi, njerëzit, moti, i gjithë plazhi. Në kulmin e verës do të ketë shumë më shumë njerëz këtu, në gusht vijnë më shumë. Do t'ia rekomandoja me kënaqësi miqve të mi.
Do veçoja çmimet. Është shumë më lirë krahasuar me pjesën tjetër të Evropës. Keni një klimë shumë të mirë, njerëz mikpritës. Jemi kënaqur shumë. Është shumë bukur plazhi. I kam thënë dhe miqve të vijnë t'i kalojnë pushimet këtu”, shprehen disa pushues.
Numri i lartë i pushuesve duket se ka zgjatur sezonin në Durrës, i cili pritet të kulmojë dy muajt e ardhshëm, ku sipas operatorëve turistikë kërkesa që tani ka tejkaluar kapacitetet.



