Ndërkohë që format e plagjiaturës sofistikohen, evoluojnë edhe qasjet për zbulimin e saj. E tillë është qasja e krijuar nga një firmë kërkimore mbi teknologjinë, që me gjetjet e saj po ndihmon në identifikimin e artikujve të revistave shkencore që kanë origjinën nga “paper mills”. Këto të fundit janë kompani kryesisht ilegale që shesin sipas kërkesave punime shkencore të rreme, me cilësi të ulët dhe me autorësi fantazmë. Teknika e re, përdor faktorë të tillë si kombinimi i autorëve të një punimi për të shënjestruar punime të dyshimta. Zhvilluesit në firmën Digital Science, me bazë në Londër, thonë se qasja e re mund të ndihmojë në identifikimin e rasteve ku “studiuesit” mund ta kenë blerë punimin.
Përpjekjet e mëhershme për të zbuluara produktet e “paper mills” janë fokusuar kryesisht në analizimin e përmbajtjes së dorëshkrimeve, jo te bashkëautorësia. Mes mënyrave të vjetra të përdorura janë, kërkimi përmes mjeteve online për fraza të modifikuara brenda punimit, apo gjurmimi i frazave të ndryshuara nga origjinali, që gjenerohen përmes një softueri që është krijuar për të shmangur detektimin e plagjiaturës. Një mjet tjetër që është përdorur më herët zbulon kur dorëshkrime identike u dërgohen disa revistave shkencore ose botuesve në të njëjtën kohë.
Por Hylke Koers, shefi i informacionit në STM me qendër në Utrecht, Holandë thotë se një qasje që analizon marrëdhëniet mes autorëve mund të jetë më i dobishëm, në një kohë që “paper mills” sofistikohen në prodhimin e një teksti gjithnjë e më bindës. “Ky është një sinjal shumë më i vështirë për t’u tejkaluar duke përdorur me zgjuarsi inteligjencën artificiale”, shton ai.
Teknologjia që zhvilloi Porter, së bashku me Leslie McIntosh, nënkryetare për integritetin e kërkimeve në Digital Science, përpiqet të gjurmojë elemente që të çojnë te aktiviteti i “paper mills”. Këto përfshijnë rrjetet e bashkautorëve, të përbëra nga studiues të hershëm të karrierës, të cilët papritmas kanë një rritje të botimeve, dhe punime që paraqesin disa autorë që nuk kanë histori botimesh ose një koleksion bashkëpunëtorësh që nuk ka gjasa të kenë bashkëpunuar, si autorë nga vende dhe disiplina që nuk lidhen mes tyre. Kur krahasuan rezultatet e teknikës së re me ato të Paper Screener Problematic, një mjet që kërkon fraza të ndryshuara dhe elemente të tjera sinjalizuese, Porter dhe McIntosh identifikuan një mbivendosje domethënëse.
Sipas studimit të lartpërmendur 10 për qind e autorëve u sinjalizuan përmes të dy mjeteve, dhe 72% e autorëve në të dhënat e “rrjetit të autorëve” mund të lidhen përmes bashkautorësisë me ata në grupin e të dhënave me “fraza të modifikuara”. Ndonëse “paper mills” kanë evoluar shpejt në shmangien e frazave të modifikuara, Porter mendon se kompanitë do ta kenë të vështirë të anashkalojnë sinjalizimin nga mjetet e reja duke ruajtur modelin e tyre aktual të biznesit. Digital Science ka postuar kodin në themel të teknikës në internet dhe Porter thotë se botuesit mund të fillojnë ta përdorin menjëherë atë.



