
Një tjetër fakultet, pas atij të Shkencave Sociale, ka kërkuar shfuqizimin e ligjit të Arsimit ctë Lartë. Bëhet fjalë për 51 pedagogë të Fakultetit të Filologjisë, të cilët kanë nënshkruar një peticion për shfuqizimin e këtij ligji.
"Në vijim të qëndrimit mbështetës ndaj protestës së studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, ne, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i falënderojmë ata për guximin dhe qëndresën qytetare”, thuhet në letrën e firmosur nga vetë pedagogët.
Në deklaratën e bërë publike nga të 51 pedagogët ndër të tjera ata parashtrojnë 5 pikat e tyre, të cilat thonë se i kanë kërkuar që prej katër vitesh.
1. Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
2. Garantimin e të drejtave të studentit, të cilat me ligjin aktual janë të shkelura.
3. Të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
4. Nxjerrjen e përgjegjësive për zënien e mjediseve universitare dhe marrjen e masave për lirimin e tyre , si dhe financimin e kampusit të ri universitar, i cili duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.
5. Hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bazën e disa parimeve .
Ndërkohë Këshillat Studentorë kanë njoftuar se protesta e studentëve do të pezullohet në këto ditë festash, për të rinisur sërish në Janar të 2019-ës, nëse deri atëherë kërkesat e tyre nuk do të plotësohen. Nëqoftëse angazhimi qeveritar dhe i Kryeministrit nuk është i qartë dhe i duhuri për plotësimin e 8 pikave që studentët kanë vendosur, atëherë ata kanë paralajmeruar se do të kthehen më të bashkuar në protestë, më 7 janar të 2019-ës, thuhet në reagimin e këshillave studentore.
Pavarësisht këmbënguljes së studentëve për kërkesat që kanë parashtruar, kreu i qeverisë Rama nuk duket të lëshojë “pe”, pavarësisht se ka premtuar përgjysmim të tarifës, për studentët sipas mesatares dhe atyre me ndihmë ekonomike vitin e ardshëm. Kreu i ekzekutiviit vijon t’i qëndrojë vetëm dialogut me studentët, qëndrim ky i panegociueshëm sipas tij.



