
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, e ka falënderuar qeverinë e re të Brazilit për ekstradimin e një militanti ish-komunist italian, i cili ishte në arrati për gati 30 vjet pas katër vrasjeve të kryera në vitet ‘70.
Në një postim në “Facebook” të dielën, Salvini falënderoi presidentin e djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe qeverinë e tij, për ndryshimin e "klimës politike" që lejoi arrestimin e Cesare Battisti dhe ekstradimin e pritshëm në Itali.
"Zbavitja mbaroi", shkroi Salvini, duke premtuar se Battisti do t'i kalojë në burg ditët e fundit të jetës.
Battisti, 64 vjeç, u arrestua në Bolivinë fqinje, të shtunën. Ai kishte qëndruar më parë në Brazil, falë statusit të refugjatit, dhënë nga ish-presidenti i majtë Luiz Inacio Lula da Silva, në vitin 2010. Megjithatë, ai u zhduk në dhjetor pas revokimit të statusit të tij dhe lëshimit të një urdhër-arresti.
I arrestuar në vitin 1979 si pjesë e një grupi terrorist të ekstremit të majtë, Proletarët e Armatosur për Komunizmin (PAC), Battisti u arratis në vitin 1981, në pritje të gjykimit për katër vrasje. Ai i mohon të gjitha akuzat. Para se të shkonte në Brazil, ai më parë ka jetuar në Francë dhe Meksikë dhe ka shkruar disa romane policore.
Battisti mbërriti sot në Itali, kur pritet të gjykohet për akuzat që rëndojnë mbi të.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, ish-komandanti i ushtrisë, Bolsonaro, riafirmoi angazhimin e tij për ekstradimin e atyre "që adhurohen nga e majta braziliane”, duke nënkuptuar Battisti-n.
Në një postim në Tuiter të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, djali i presidentit të Brazilit, Eduardo Bolsonaro, komentoi: "Brazili nuk është më vend i banditëve. Një dhuratë e vogël është nisur për atje”.



