Një adoleshent britanik ka arritur të hyjë në llogaritë e zyrtarëve më të lartë të inteligjencës amerikane nëpërmjet kompjuterit në dhomën e tij. Tre vjet më parë, Kane Gamble, 18 vjeç, ka gjetur akses në komunikimin e emrave më të mëdhenj të inteligjencës amerikane dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë, përfshirë llogaritë e ish-shefit të CIA-s, John Brenan.
Në atë kohë vetëm 15 vjeç, Gamble futi në dorë informacione tepër të rezervuara që shkëmbeheshin me email mes zyrtarëve të lartë të shërbimeve sekrete.
Detajet në lidhje me episodin e 3 viteve më parë kanë dalë në gjykatë. Prokurori John Lloyd –Jones tha se Gamble ia doli të siguronte akses në rrjetet e sigurisë amerikane dhe agjencive të inteligjencës.
Gamble akuzohet për 10 shkelje të tilla të kryera në periudhën mes qershorit 2015 dhe shkurtit 2016. 15-vjeçari ia doli të hynte në emailin e Brennan-it dhe të merrte informacion në lidhje me operacionet ushtarake dhe ato të inteligjencës në Iran dhe Afganistan.
Pasi siguroi akses në llogarinë e tij në iCloud, Gamble ndryshoi fjalëkalimin dhe mori kontrollin e iPad-it të gruas së shefit të CIA-s.
Djaloshi vuri në shënjestër edhe sekretarin e shtetit për sigurinë në atë kohë, Jeh Johnson, të cilit i telefonoi. Gamble i la një mesazh zanor edhe gruas së Johnson-it, të cilës i tha: A po të frikësoj mjaftueshëm? Për më tepër, Gamble ia doli të shfaqte në televizorin e shtëpisë së Johnsonin mesazhin: Ju kam në dorë.
Të tjera “shënjestra” të tij mësohet të kenë qenë edhe këshilltari i Obamës për sigurinë, Avirl Haines, këshilltari për teknologjinë, John Holdren dhe agjenti i FBI-së, Amy Hess.
Adoleshenti britanik siguroi akses në rrjetin e Departamentit të Drejtësisë, duke futur lehtësisht në dorë dokumente të gjykatave, përfshirë rastin e katastrofës industriale të 20 prillit në Gjirin e Meksikës. Disa prej materialeve që siguroi në këtë mënyrë, ai ia dha Wikileaks-it.
Një djalosh me çrregullime të spektrit autik
Gjatë gjykimit të çështjes, psikologu Steffan Davies, vlerësoi se djaloshi nuk ka qenë në dijeni të pasojave që do të kishin veprimet e tij, pasi vuan nga autizmi, raporton "The Telegraph"
“Është shumë e qartë se ai ka një çrregullim të spektrit autik”, tha ai në sallën e gjyqit. “Ai e ka kaluar shumicën e kohës në dhomën e tij të gjumit dhe interneti ishte vendi ku e gjente më shumë veten. Gjithë atë që ka bërë në këtë rast, ai mund ta shohë bardh e zi dhe jo siç e shohim ne”, tha Davies.
Por një tjetër ekspert, dr. Philip Joseph, thotë se ka dyshime në lidhje me autizmin e Gamble-it. “Është formë e lehtë e autizmit, nëse ka një të tillë”, thotë ai.
Gamble është arrestuar në shtëpinë e tij më 9 shkurt të vitit të kaluar, pas një kërkese të FBI-së. Ai pretendoi se për veprimet e tij është motivuar nga mbështetja që ka për palestinezët dhe donte të hakmerrej për “vrasjet e civilëve të pafajshëm” nga SHBA-të.
Në gjyq, ai i është përgjigjur vetëm pyetjes që i kërkonte të konfirmonte identitetin e tij. Data e seancës përfundimtare nuk është caktuar ende.



