
Ndotja e ajrit dyshohet se është përgjegjëse për deri në 6 milionë lindje të parakohshme dhe 3 milionë foshnje nën peshë në të gjithë botën çdo vit, thotë një studim.
Analiza, e cila kombinon rezultatet e studimeve të shumta shkencore, është e para që llogarit ndotjen totale globale të ajrit të jashtëm dhe të brendshëm të kombinuar.
Ndotja e brendshme, kryesisht nga sobat e gatimit që djeg lëndë djegëse të ngurta si qymyri ose druri, përbënte pothuajse dy të tretat e totalit të ndotjes në shtatzënitë e vitit 2019, sipas studimit të fundit. Kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat në zhvillim, të tilla si në disa pjesë të Azisë jug-lindore dhe Afrikën nën-Sahariane.
"Në një nivel individual, ekspozimi i ndotjes së ajrit të brendshëm duket se mbart një barrë shumë më të madhe në krahasim me nivelet e jashtme," tha Rakesh Ghosh , një epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko dhe studiues kryesor në këtë studim i cili është botuar në revistën Plos Medicine .
"Pra, minimizimi i ekspozimit ndaj ndotjes në shtëpi, për aq sa është e mundur, duhet të jetë pjesë e këshillave gjatë kujdesit para lindjes”.
Ndotja e ajrit zakonisht matet sipas ekspozimit ndaj grimcave më të vogla se 2.5 mikronë: pasi thithen, madhësia e vogël e këtyre grimcave i lejon ato të absorbohen thellë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar potencialisht probleme të mëdha shëndetësore .
Më shumë se 92% e popullsisë globale jeton në zona ku cilësia e ajrit të jashtëm është nën kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetit, dhe rreth 49% janë të ekspozuar ndaj niveleve po aq të larta të ndotjes së ajrit të brendshëm .
Rajonet si Azia jugore dhe lindore janë më të ndoturit, me Bangladeshin, Kinën, Indinë dhe Pakistanin ku ndodhen 49 nga 50 qytetet më të ndotura në botë . Vitet e fundit zjarret, zjarret bujqësore dhe stuhitë e pluhurit kanë shkaktuar gjithashtu ndotje të madhe të ajrit.
Kostoja e ndotjes së ajrit për ekonominë globale vlerësohet në më shumë se 2.9 trilion dollarë çdo vit, përveç dëmtimit serioz të shëndetit publik.
Për këtë studim, ekipi i Ghosh shqyrtoi 108 punime kërkimore mbi ndotjen e brendshme dhe të jashtme në korrelacion me katër rreziqe kryesore të shtatzënisë – koha e shtatzënisë që prej ngjizjes deri në lindje, ulja e nivelit të peshës së foshnjave, pesha e ulët e foshnjës në lindje dhe lindja e parakohshme- për 204 vende.
Pas kontrollit të faktorëve të rrezikut si pesha gjatë shtatzënisë, pirja e duhanit, alkoolit, studiuesit zbuluan se ndotja e ajrit ishte një shkak kryesor i peshës së ulët të lindjes dhe lindjes së parakohshme. Kjo e fundit është shkaku kryesor i 15 milionë vdekjeve të porsalindurve në të gjithë botën çdo vit.
Gjetjet bazohen në kërkimet e mëparshme nga Ghosh dhe kolegët, të cilët llogaritën se ndotja e ajrit kontribuoi në vdekjen e 500,000 të porsalindurve globalisht në vitin 2019.
Duke minimizuar ndotjen e ajrit në Azinë juglindore dhe Afrikën nën-Sahariane, studimi llogariti se numri i lindjeve të parakohshme dhe foshnjave me peshë të ulët të lindjes mund të ulet me pothuajse 78% në nivel global.



