Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut si pasojë e motit të keq kanë shkaktuar 19 të vdekur dhe shumë të lënduar në Bosnje e Hercegovinë.
Trupat e 16 viktimave janë gjetur në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës në Hercegovinë. Ndërkaq vazhdojnë kërkimet për persona të zhdukur nga ekipet e shpëtim-kërkimit.
"Kemi shumë njoftime për persona të zhdukur", tha zëdhënësi i Qeverisë së Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK), Darko Juka. Situata paraqitet më kritike në zonën e Donja Jabllanica, që gjendet në rrugën nga Mostari për në Sarajevë.
Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) shpalli "gjendje të fatkeqësisë natyrore". Këshilli i ministrave të BeH-it mbajti një mbledhje urgjente, ndërsa kryetarja e qeverisë shtetërore, Borjana Krishto, njoftoi se do të ftojë Qendrën Operative për Mbrojtjen Civile, si dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit, për të ofruar ndihmë urgjente për Bosnje e Hercegovinën, raporton REL.



