Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur keqardhje të thellë për faktin se përpjekjet e disa muajve për t’i dhënë fund ndërprerjes së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit nuk kanë sjellë rezultatin e dëshiruar, sipas mediave te huaja.
Gjatë fjalimit të tij në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë, që u mbajt në Stamboll, Erdogan theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare po humbasin gjithnjë e më shumë efektivitetin e tyre dhe se vendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk po zbatohen më.
“Marrëveshjet ndërkombëtare kanë humbur efektivitetin. Po ashtu, vendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk po zbatohen më,” deklaroi lideri turk.
Erdogan kritikoi ashpër sistemin aktual ndërkombëtar, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe drejtësinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, një sistem i OKB-së nuk mund të konsiderohet “legjitim dhe i drejtë” nëse nuk pasqyron vullnetin e komunitetit ndërkombëtar. Ai theksoi se struktura ku vullneti i mbi 190 vendeve nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara varet nga vetëm pesë vende që kanë të drejtën e vetos, nuk është as e drejtë dhe as e shëndoshë.
Në fjalimin e tij, presidenti turk përmendi konkretisht “bllokimin” në Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth 35 për qind e eksportit botëror të naftës, duke theksuar se ky problem nuk është zgjidhur për muaj të tërë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bëra.
Ai e lidhi këtë situatë me një sërë krizash të tjera globale, duke përfshirë luftën Rusi-Ukrainë, konfliktet në Liban, Jemen, Somali, Sudan dhe veçanërisht situatën në Gaza, të cilën e cilësoi si “kampin më të madh të përqendrimit në botë”.



