Hondurasi njoftoi të shtunën se i ka përcjellë Tajvanit vendimin e tij për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në favor të Kinës, duke e lënë në 13, numrin e vendeve që njohin zyrtarisht ishullin demokratik të vetëqeverisur.
Vendi i Amerikës Qendrore tha se mbështet parimin e një Kine dhe pranon Pekinin si qeverinë e vetme legjitime që përfaqëson të gjithë Kinën.
Hondurasi bëhet kështu vendi i nëntë që ndërpret lidhjet me Tajvanin që kur Tsai Ing-wen i Partisë Demokratike Progresive me prirje për pavarësi u bë President i ishullit në maj të vitit 2016.
Njoftimi erdhi pas dërgimit të një delegacioni të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Hondurasit Eduardo Enrique Reina në Kinë të dielën, për të përshpejtuar procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Pekinin.
Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu konfirmoi se ishulli ka ndërprerë lidhjet me Hondurasin. Ai pretendon se Kina joshi vendin për arsye ekonomike, por thotë se është e pamundur të izolohet Taipei nga komuniteti ndërkombëtar pasi mbështetja për territorin midis vendeve perëndimore është rritur.
Kina dhe Tajvani janë qeverisur më vete që kur u ndanë në vitin 1949 për shkak të një lufte civile. Pekini e konsideron ishullin si një provincë renegat për t’u bashkuar me kontinentin me forcë nëse është e nevojshme.
13 vendet që ende mbajnë marrëdhënie diplomatike me Taipein përfshijnë Vatikanin, ishujt e Paqësorit të Tuvalu, Nauru, Palau dhe Ishujt Marshall, si dhe Guatemala, Paraguaj, Haiti dhe Belize në rajonet e Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Nëntë vendet që kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin në vitet e fundit përfshijnë Panamanë, Republikën Domenikane, El Salvadorin, Ishujt Solomon dhe Nikaraguan.



