Policia rrugore ka vijuar operacionin "Blici Rrugor", i shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane.
Aksioni është zhvilluar për vendosjen e rripit të sigurimit dhe mospërdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Policia bën me dije se operacioni ka nisur në orën 11:30 dhe ka zgjatur deri në orën 12:30.
Kanë qenë rreth 580 punonjës policie që kanë dalë në terren, si dhe janë ngritur rreth 114 pika kontrolli në të gjithë vendin.
Prej orës 11:30 deri në orën 12:30 në të gjithë vendin, Policia Rrugore e mbështetur dhe nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat vendosën:
81 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit.
123 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Si dhe 148 masa administrative për shkelje të tjera, si shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse etj.
Operacioni ka për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, për mos përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.



