Egnatia ka bërë një paraqitje të mirë përballë Interit, ndonëse zikaltërit ia dolën të përmbysin në shifrat 4-2 miqësoren e luksit që u transmetua në MCN TV.
Rrogozhinasit shtangën zikaltërit duke gjetur golin vetëm pas 6 minutash lojë. Ishte i përhershmi Dwamena i cili pas një aksioni të shpejtë dhe një asisti nga e djathta dërgoi topin në rrjetën e portës kundërshtare.
Interi provoi të gjejë golin e barazimit me të gjitha mënyrat, ku pati disa raste të mira me Lautaron, por Sherri bëri disa herë shpëtimtarin duke qenë më i miri në fushën e lojës. Me avantazhin 0-1 të Egnatias u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Interi barazoi në minutën e 55’, ku Bastoni pasi gjeti të vendosur gabim mbrojtjen kundërshtare shënoi pas një goditjeje nga e djathta. Por Egnatia rimori avantazhin pas një penalltie të ekzekutuar me “Panenka” nga Fernando.
Inzagi bëri disa zëvendësime që dhanë rezultat duke bërë që Interi të përmbysë gjithçka. Fillimisht ishte një dygolsh i Lautaros, i cili mposhti dy herë Sherrin, fillimisht me një gjuajtje me kokë në qendër të zonës, dhe mandej nga pika e penalltisë. I riu Stabile shënoi në minutën e 90’, duke vulosur shifrat në 4-2.
Ndeshja u luajt në stadiumin “Paolo Mazza” në Ferrara të Italisë. Një sfidë e veçantë për skuadrën shqiptare, që u përball me nënkampionët e Europës dhe një nga skuadrat më të mëdha në botë. Vlen për t’u theksuar fakti se Inter ka tifozë të shumtë edhe në vendin tonë.
Ky ishte testi fundit për zikaltërit në kuadër të sezonit të ri të Serisë A. Inter do të përballet me Monzën në “San Siro” në sfidën e parë të Serisë A.



