Çmimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij ka pësuar rritje paralelisht me produkte të tjera të shportës së konsumit. Qytetarët pranojnë se çmimi është i papërballueshëm për ta, ndërkohë që jashtë kamerave tregtarët shprehen se kostot e prodhimit janë rritur, njëherazi dhe kërkesa nga qytetarët.
Nga një vëzhgim i kryer në marketet e kryeqytetit dhe dyqanet e bulmetit, rezulton se çmimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij ka pësuar një rritje prej 10%.
Një situatë e tillë i ka irrituar qytetarët, të cilët shprehen se në kushte të tilla po detyrohen të lënë pa konsumuar edhe bulmetin.
Qytetarët ngrenë dyshime mbi cilësinë e produkteve të bulmetit që konsumojnë përsa i përket sasisë dhe përbërjes.
MCN kontaktoi me kompaninë Erzeni, ku administratori i saj, Sajmir Begaj, shprehet se shkak i rritjes së çmimit të nënprodukteve të qumështit është bërë rritja e kostove të prodhimit.
Ndërkohë, kompania Gjirofarm, pasi mësoi arsyen e interesimit tonë, refuzoi të përgjigjej.
Për ekspertin e ekonomisë, Arbi Agalliu, kjo situatë me rritjen e çmimeve është reflektim i hapjes së tregjeve e ekonomisë ndërkombëtare pas vështirësive të krijuara nga pandemia e COVID-19, ku sipas tij njerëzit po blejnë më tepër e oferta është e kufizuar.
Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që një pjesë e kompanive vendase, të cilat kanë njohur zgjerim të vazhdueshëm, të drejtohen në vendet e rajonit për lëndë të parë, kryesisht në Serbi.



