Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, ka ironizuar LSI-në dhe premtimet e saj për të rinjtë. Gjatë një takimi me votuesit për herë të parë në njësinë 1, Tahiri deklaroi se nuk është e lehtë të bindësh një të ri që do të votojë për herë të parë, pasi shumë prej tyre mendojnë se të gjithë politikanët janë njëlloj.
“Për të rinjtë sot është pak më e vështirë sesa për të rriturit; është pak më e vështirë se ka parti që iu vijnë klasë më klasë e iu premtojnë eskursione, e iu japin teza provimesh, iu premtojnë nota provimesh. Ju premtojnë lloj-lloj historish që s’dua t’i përmend, po çudira nga më të mëdhatë. Ju premtojnë punë falas. Ju premtojnë punë dhe pastaj iu heqin nga puna sa kalojnë zgjedhjet. Sot ndodh që partitë po sulmojnë rininë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Sot ndodh që ‘partiçka’ të caktuara po e sulmojnë rininë duke deformuar arsyen pse janë të rinj. Sot ndodh që ‘partiçkat’ po korruptojnë rininë, e kjo nuk duhet të ndodhë. E midis një ‘partiçke’ që mua më vjen te klasa dhe më thotë, “do të jap provimin po hajde voto për mua”; dhe një partie që mendon si mund të bëjë një shkollë më të mirë, si të ndërtojë një shkollë të re apo si të bëjë një sistem arsimor ku vlerësohet merita, unë zgjedh këtë të dytën’”, tha Tahiri’.



