
Drejtuesja 30-vjeçare e një emisioni dhe drejtore administrative e kanalit televiziv rajonal TVN në Bullgari, u gjet e vrarë të shtunën pranë bregut të lumit Danub, në qytetin Vuse.
Victoria Marinova dyshohet se është përdhunuar, rrahur dhe pastaj është mbytur. Ajo u gjet nga një kalimtar të shtunën pasdite dhe trupi i saj u identifikua nga familja e saj në mbrëmje, njoftuan autoritetet bullgare.
Është e paqartë nëse vrasja ka të bëjë me punën profesionale të Marinovës. Kreu i zyrës së prokurorisë së qytetit Vuse, Georgi Georgiev, dhe zëvendësdrejtori i policisë vendase, Ilian Ençev, në një konferencë shtypi të dielën thanë se po hetohet në shumë pista.
Shumica e sendeve të saj personale mungonin kur ajo u gjet e pajetë. Në lidhje me krimin nuk ka të dyshuar.
Faqja bullgare e internetit “Terminali 3” ka përmendur faktin se Marinova kishte intervistuar së fundmi gazetarin investigativ rumun, Atila Biro, nga projekti Rise dhe kolegun bullgar, Dimitar Stojanov nga Bivol.
Tema ishte arrestimi i fundit i dy gazetarëve nga policia pranë qytetit Radomir, në jug të Sofjes, ndërsa po hetonin shkatërrimin e dokumenteve që dyshohet se implikonin kompaninë e infrastrukturës GP Group në manipulimin e tenderëve të BE.
Vrasja ishte dënuar nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, i cili bëri thirrje për një "investigim të plotë ".
Marinova është gazetarja e tretë që u vritet në një nga vendet e BE në më pak se një vit, pas Daphne Caruana Galizia nga Malta dhe Jan Kuciak nga Sllovakia.



