Për të disatën ditë radhazi vijon të ulet numri i viktimave në Itali për shkak të koronavirusit, si një nga vendet më të prekura në botë nga kjo pandemi. Të dhënat nga burimet zyrtare bëjnë me dije se 24 orët e fundit kanë humbur jetën 55 persona, më pak se ditën e djeshme kur ndërruan jetë 66 njerëz.
Disi shqetësues është fakti se nga dje është rritur numri i rasteve pozitive me koronavirus. Sot janë regjistruar 318 raste të reja, ku shumica janë në rajonin e Lombardisë, 187 prej tyre ose ndryshe 58.8%. Në total, në 24 orët e fundit janë kryer 52 159 tamponë, me një përqindje pozitiviteti prej 0.6%, ose ndryshe 1 në 164 teste.
Në total, për momentin në Itali me koronavirus janë 233 515 persona, ndërsa në terapi intensive qëndrojnë 408. Përsa i përket numrit të përgjithshëm të viktimave fatkeqësisht ka shkuar në 33 530 persona.



