Në një deklaratë për mediat para Kuvendit Sali Berisha ka komentuar lidhur me projektligjin për rritjen e pagave të cilën e ka quajtur një farsë të turpshme me përmasa cinike të një cinizmi dhe hipokrizie.
Berisha tha se Rama pasi mashtroi shqiptarët, duke paraqitur rrogën e presidentit, të admiralit dhe të Rezartit, solli në parlament një ligj, në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë, mjekët, mësuesit, policët, ushtarakët, përfitojnë një rritje 1 përqind ose minus 1 përqind.
Sipas tij, një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm i tillë ndaj punonjësve të këtij vendi, tejkalon çdo cak.
Kam qenë dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, kjo është ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1 përqind ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT, se me përllogaritjen e EuroStat, rënia është më e madhe se kaq. Kam insistuar se ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. Ky duhej të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.
Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike dhe pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet çdo vit dyfishi i fondit të përgjithshëm të rrogave. Kjo u mbyll në mënyrën më të turpshme nga njerëzit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë. Ne nuk do e votojmë.



