Shqipëria dhe Kosova, me mbështetjen e Këshillit Britanik, po ndihmojnë të rinjtë me ofrimin e praktikave profesionale në fushën e arteve pamore dhe kuratorisë. Në studion e MCN Informacion, Oliver Durey nga Galeria Britanike “Larkin Durey”; Alban Nimani nga qendra kulturore “Tulla”; dhe Gaz Ejupi nga Prishtina Biennale, diskutuan në lidhje me këtë projekt.
Durey tha se ka shumë të rinj të interesuar si në Prishtinë, edhe në Tiranë. Ndërsa Nimani u shpreh se rrjetet dhe shoqatat e artistëve janë në fillesat e tyre dhe kjo do të forcojë lidhjet. Ejupi theksoi se industria kreative ka potencial të madh.
Oliver Durey, Galeria Britanike “Larkin Durey”
Britania e madhe ka përvojë dhe është ndër vendet kryesore në botë për promovimin. Studentët kanë mundësi të mësojnë shumë për shitjen dhe promovimin e artit. Ne mund t’u mësojmë “sekretet” si t’i bëjnë galeritë të marketueshme.
Ka shumë të rinj të interesuar. Këtë e vumë re në Prishtinë javën e kaluar. Duke marrë parasysh se kemi pasur bashkëpunime të tjera edhe më parë me Gazin, ka artistë të rinj që janë të interesuar.
Është një fushë e re dhe do të ketë një bum ky lloj tregu sepse ka nisma që po funksionojnë. Edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ka artistë ndërkombëtarë.
Alban Nimani, qendra kulturore “Tulla”
Është një përvojë shumë e mirë. E gjithë ajo që na lidh është British Council si motori më i madh i industrisë kreative. Është e rëndësishme që edhe galeritë t’i futen anës komerciale. Kjo vlen edhe për vetë artistët.
Drejtuesit e rinj të Ministrisë së Kulturës kanë qenë shumë të hapur për bashkëpunim. Tani po shqyrtohet ligji i sponsorizimeve dhe ne do të japim mendimin tonë që ai të jetë sa më i favorshëm për artistët. Ne duhet të rregullojmë së pari kushtet për artistët dhe më pas për galeritë.
Mendoj se nuk është lidhja sa duhet të jetë. Gjëja kryesore është të kemi rrjete ose shoqata të artistëve. Ka nisur kjo ide por nuk është akoma në nivelin ku duhet të jetë.
Gaz Ejupi, Prishtina Biennale
Industria kreative për momentin ka një potencial shumë të madh. Si koncept ka nisur në Britani pas viteve 2000. Ne mund të punojmë me gjeneratat e reja për këtë. qëllimet tona janë një pikë nisje. Javën e parë kemi nisur në Prishtinë për 5 ditë. I njëjti program nis edhe në Tiranë. Bëhet projekti nga të dy shtetet për të analizuar impaktin më pas. Nuk është lehtë, por nuk është vonë për ta filluar. Ne duam të kemi sukses. Ne duam rezultat të menjëhershëm, por asgjë nuk arrihet menjëherë, duhet punë. Ne kemi të rinj që kanë ide konkrete, e dinë mirë se çfarë duan. Bregdeti po gjeneron të ardhura, po hapen qendra të reja që gjenerojnë gjithashtu të ardhura. Pse të mos fillojmë?
Po shoh potencial që ne duhet t’i dëgjojmë gjeneratat e reja. Ne duhet t’i këshillojmë, por jo t’i tregojmë çfarë të bëjnë.



