
Ka marrë një kthesë tronditëse ngjarja e ndodhur një ditë më parë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku fillimisht u raportua se 61-vjeçari U. F. kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari.
Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se ngjarja është zbardhur dhe se bëhet fjalë për një krim makabër brenda familjes: viktima është ekzekutuar nga bashkëshortja dhe djali i tij.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi intensiv dhe ekzaminimeve mjekoligjore, ka vënë në pranga dy familjarët e viktimës si autorë të dyshuar të vrasjes më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve Sadete Fiku, 57 vjeçe dhe Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
