
Një fushatë ndërgjegjësuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ka nxjerrë edhe një herë në pah, rrezikun e financimit të xhamive paralele në vend. Ndërkohë, një tjetër shqetësim është se ISIS-i po shfrytëzon rrjetet sociale për rekrutimin e ushtarëve të tij.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar një fushatë ndërgjegjësuese për ekstremizmin e dhunshëm. Por gjatë kësaj fushate, Komiteti i Helsinkit ka konstatuar edhe disa problematika në terren. Në një intervistë për Televizionin Tema, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj tha se burimi financiar për disa xhami në vend mbetet i paqartë.
“Ishin ndërtuar disa objekte fetare kryesisht të besimit islam, në mënyrë të veçantë xhamitë, të cilat ndodheshin në afërsi gjeografike me objekte të tjera të njëjta të ndërtuara më herët në kohë, ndërkohë që komuniteti që ndodhet në këto zona është një komunitet i vogël. Këto objekte fetare të ndërtuara kohët e fundit, në mënyrë të veçantë dekadën e fundit, sipas organizatave që punuan në teren ishte e paqartë se kush i financonte dhe nëse kishte qëllime të caktuara për ndërtimin dhe funksionimin e tyre”, deklaroi Erida Skëndaj drejtoreshë e KSHH-së.
Skëndaj nuk bën me dije se në cilat qytete ndodhen këto xhami paralele që kanë burim financiar të paqartë, por pas një hulumtimi të TemA Tv mësohet se xhami të tilla me influencë ka në qytetin e Dibrës, në Kukës dhe në Cërrik.
Ndërkohë, Skëndaj shprehet se xhamitë me burime financiare të padeklaruara njihen se mbështeten nga besimtarë fanatikë.
“Ndërtimi i këtyre objekteve kishte bërë që besimtarët të ndaheshin në rryma të caktuara të të njëjtës fe, të njohura si rryma fanatike apo rryma liberale. Dhe gjithashtu influencat që kishin ardhur për shkak të këtyre ndërtimeve të objekteve fetare bënin që një pjesë e banorëve të përfitonin pagesa të rregullta të mbështetjes financiare të besimit përkatës, ku sërish ishte a paqartë skema se si funksiononte. Realisht përfitonin familjet e varfra dhe kush i finaconte ato”, tha Skëndaj.
Një tjetër fenomen i konstatuar gjatë fushatës ndërgjegjësuese kundër ekstremizmit të dhunshëm ishte se grupet terroriste si ISIS-i tashmë kanë ndryshuar strategji për rekrutimin e ushtarëve të tyre. Ajo përmend dy terminologji: Ujqërit e vetmuar dhe Agjentët ndërkombëtarë. Por çfarë janë këta?
"Përdorimi i shtuar në mediat sociale i formave të kamufluara të ekstremizmit dhe radikalizmit, të cilat njihen si fenomeni “ujqërit e vetmuar”, të cilët nuk veprojnë për shkak të atashimit të tyre në organizatat terroriste, por veprojnë të vetmuar dhe janë të radikalizuar për shkaqe që kanë të bëjnë me izolimin e këtyre personave nga shoqëria dhe ata mund të ndërmarin më pas akte me natyrë ekstremiste dhe deri me natyre terroriste karshi njerëzimit”, deklaroi Skëndaj.
Bullizmi ishte një tjetër faktor që nxiste ekstremizmin e dhunshëm. Ky fenomen është shfaqur edhe në vendin tonë. Ndërkohë, ndonëse njihemi si një vend me tolerancë fetare gjatë fushatës ndërgjegjësuese të rinjtë i kanë raportuar KSHH-së se besimi fetar është bërë shkak për konflikte të lehta pa pasoja.



