Gjatë një takimi me krerët e bashkive të vendit, kryeministri Rama u ka bërë atyre thirrje të dorëzojnë projektet që do të financohen nga qeveria. Rama tha se projektet do të zbatohen përmes partneritetit publik-privat.
“Projektet do të jenë partneritet publik-privat. Kjo është një formë inovative që nuk e kemi shpikur e, për të mos ndërtuar borxh dhe për të përfituar zhvillime që ndryshe nuk bëhen. Ne financojmë projekte. Jo mendime. Sillni projekte dhe do t’ju mbështesim”, tha ai.
Rama tha se Rruga e Arbrit mund të nisë shumë shpejt.
“Rruga e Arbrit është në procedurë. Gjatë kësaj jave mbyllet faza e parë dhe hyjmë në fazën e dytë. Kam besim që nëse nuk na tradhtojnë procedurat, shumë shpejt do të nisë puna edhe për Rrugën e Arbrit”, tha ai.



